
Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas dënimit të shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj me gjashtë vjet burgim nga një gjykatë në Serbi, nën akuzën për krime lufte kundër popullsisë civile, shkruan Insajderi.
Konjufca e ka quajtur këtë vendim një padrejtësi dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Serbisë për këtë rast.
Ai tha se ky dënim pas arrestimit të Mehmetajt në vitin 2020 dhe pas një procesi gjyqësor që e cilëson si të shpikur dhe arbitrar, është një pasqyrim i mendësisë së vjetër të Serbisë, e cila, sipas tij, ka kryer gjenocid në Kosovë dhe tani përpiqet të fshehë krimet e saj, duke shpikur akuza të tjera.
Konjufca ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të reagojë me forcë për të kundërshtuar këtë padrejtësi dhe për të mbështetur të drejtat e njeriut.
“E dënoj fuqishëm këtë padrejtësi dhe kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Serbisë, me zë të qartë kundër kësaj padrejtësie dhe në mbështetje të të drejtave të njeriut“, shkroi ai në Facebook.
Gjykata në Serbi e ka dënuar me 6 vjet burgim shtetasin e Kosovës, Nezir Mehmetaj, i cili akuzohej për për krime lufte, shkruan Insajderi.
Në dënim do t’i llogaritet koha e qëndruar në paraburgim dhe ky vendim i shkallës së parë të gjyqësorit serb mund të apelohet.
Ai u arrestua më 3 janar 2020 në pikëkalimin kufitar në Merdarë dhe që atëherë është mbajtur në paraburgim.