Konkursi i hapur nga Komuna e Podujevës e cila udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i VV’së për pozitën ‘Pedagog dhe Psikolog’ ka ngritur dyshime tek aktivistët e shoqërisë civile.
Testi me shkrim për këto pozita u mbajtë me datën 23 janar të këtij viti, por ajo që bie në sy është testi me gojë i cili do të mbahet me datën 30 janar.
Kjo pasi që, intervista me gojë me kandidatët parashihet të mbahet vetëm nga pesë minuta. Kështu u bë e ditur nga dokumenti i publikuar nga faqja zyrtare e komunës së Podujevës.
Aktivisti i Shoqërisë Civile, Shemsi Jashari ka pyetur publikisht udhëheqësit e kësaj komune se në këtë intervistë a do të vlerësohet ‘dija apo dukja?’.
“Qysh more intervistë me gojë një kandidat i ka 5 minuta kohë ne dispozicion, prej kohës kur lajmrohet, hynë në sallë, prezentohet, përgjigjet ne pyetje, përshëndetet, del nga salla për me hy tjetri/a, fiks pas 5 minutave!!!! Çka mundet me vlerësu dikush për 5 minuta (Bruto), përvç dukjes asgje tjetër. Konkursi po shkruan se duhet të vlerësohet dija jo dukja“, ka shkruar ai.
Tutje, Jashari i mllefosur kërkoi nga qeverisja lokale e Vetëvendosjes që të mos i malltretoj të rinjtë e vendit.
“A jeni normal more, mos i maltretoni edhe këta pak të ri e të reja që kan mbet ksajde, kallxoni se kandidatët e preferuar e kanë marr tikun( aminin) lartë te shefi edhe kjo veç formalitet është. Marre, gjynah…..“, ka shkruar Jashari në Facebook.