Në një konkurs për pozitën e punës ‘punëtor sporteli’ të Postës së Kosovës në degën në Prishtinë, Inspektorati i Punës hasi shkelje të mëdha. Si fillim, kryeshefja ekzekutive vendosi në krye të komisionit vlerësues Petrit Karakashin, aktivistin e “flaktë” të Lëvizjes Vetëvendosje. Anëtarë të tjerë në komisionin vlerësues ishin edhe Genc Çeku, vëllai i ministrit të Kulturës Hajrulla Çekut dhe Saranda Ademi. Në gjetjet e Inspektoratit, kjo përbërje thuhet se nuk regjistroi përgjigjet e kandidatëve që aplikuan për pozitë dhe përgatitën pyetjet e njëjta që të tre, duke lënë hapësirë për “kurdisje” të konkursit.
Më 2 nëntor të vitit të kaluar, Posta e Kosovës kishte shpallur konkurs për punëtorë sporteli. Për t’ua vlerësuar kualifikimin aplikantëve, kryeshefja e Postës së Kosovës Nora Rraci, në krye të komisionit e kishte vendosur Petrit Karakashin, njeriun e “flaktë” të Vetëvendosjes. Anëtarë tjerë të komisionit ishin edhe Saranda Ademi dhe Genc Çeku, vëllai i Hajrulla Çekut.
Gazeta Insajderi ka arritur ta sigurojë raportin zyrtar të Inspektoratit të Punës, të lëshuar ankesave që kishte pranuar nga kandidatët për këtë pozitë pune. Në vërejtjet e tyre, thuhet se Posta e Kosovës, gjegjësisht secili nga anëtarët e komisionit vlerësues, kishin përgatitur pesë pyetje të njëjta për kandidatët, e jo pesë të veçanta secili siç e kërkon Udhëzimi Administrativ. Po ashtu, kritika kanë pasur edhe për vendosjen e pikëve “paushall”.
“Punëdhënësi Posta e Kosovës sh.a, ka prezantuar formularët e vlerësimit të intervistës me gojë të cilët janë zhvilluar nga Komisioni Përzgjedhës, ku secili anëtar i komisionit përzgjedhës kanë përpiluar formularët e intervistës me gojë. Gjatë vlerësimit i kanë parashtruar pesë (5) pyetjet dhe në total në pesëmbëdhjet (15) për secilin kandidat, ku me pyetje e parashtruara nga Komisioni Përzgjedhës kanë qenë të njëjta nga të gjithë anëtarët e komisionit, duke i vendosur pikët pa i regjistruar përgjigjet e dhëna nga kandidatët intervistues dhe kanë bërë mbledhjen e pikëve në total për secilin kandidat”, thuhet në raportin zyrtar të Inspektoratit të Punës.
“IP, kanë konstatuar se Komisioni Përzgjedhës nga formularët e pyetjeve të parashtruar nga testi me gojë (intervista), kryetari dhe anëtarët e komisionit kanë përgatitur nga pesë (5) pyetje të njëjta nga të tre (3) anëtarët e Komisionit Përzgjedhës për çdo pjesmarrës në testin me gojë, dhe jo të nga pesë pyetje të vecçnta për çdo kandidat pjesmarrës nga Komisioni Përzgjedhës të cilat janë zhvilluar në kundërshtim me dispoziten e nenit 11 paragrafët 5 dhe 8 të Udhëzimit Administrativ 07/2017 për procedurat e Konkursit në Sektorin Publik”, thuhet tutje në raport.
Inspektorati i Punës ka kërkuar në një afat prej tre ditësh nga pranimi i Raportit Zyrtar të eliminohen parregullsitë, në të kundërtën do të shqiptohen gjoba.
Një burim i Insajderit në kushte anonimiteti ka bërë të ditur se pesë kandidat që janë përzgjedhur për t’ia filluar punës kanë afërsi ose njoftësi paraprake.
Insajderi merr vesh se personat e përzgjedhur për punëtorë sporteli janë: Gresa Konjuhi, Asllan Voca, Sevdije Mehmetaj, Ardita Saraqini dhe Besiana Qerkezi.
Petrit Karakashi, raportet me VV’në
Petrit Karakashi u avancua në pozitë disa herë që nga ardhja në pushtet e Qeverisë Kurti. Ai kishte kapërcyer pesë grada në avancim. Nga pozita e koordinatorit të Logjistikës në Postën e Kosovës ishte caktuar ushtrues detyre i Drejtorit të Departamentit të Burimeve Njerëzore, pra nga grada 10 në atë 15.
Ai paraprakisht ishte emëruar këshilltar i ish-kryeshefit të Postës së Kosovës, Rafet Jasharit, por atij i ishte anuluar kontrata me kërkesë të Bordit të Postës.
Karakashi se ka fshehur simpatinë e tij në ‘Facebook’ për Vetëvendosjen. Ai më 2020-ën kishte shpërndarë postime të kryeministrit Kurti e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë.
Mirëpo, tash duket se është mbushur mend. Që nga 2021-a nuk ka pasur ndonjë postim që paraqet pozicionimin e tij politik. /Insajderi.org/