×
  • Lajme
  • Lajme

    Konspiracioni i ministres Haxhiu për rastin e Faton Hajrizit: Krimi e pushteti në Serbi po ndihmojnë ne arratisjen e të dënuarve

    Insajderi
    20 July 2024 - 12:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mediat në Serbi gjatë ditës së djeshme kanë raportuar se policia e këtij shteti e ka vrarë kosovarin, Faton Hajrizi.

    Ai ishte në kërkim nga autoritetet atje, nën dyshimet se vrau një polic dhe plagosi një tjetër.

    Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Nëpërmjet një postimi në profilin e saj në Facebook ajo ka shprehur dyshimet se mos Hajrizi nuk është vrarë. Dhe ka kërkuar që të bëhet hetim i thellë për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti.

    “Informacionet këto ditë ishin kundërthënëse, andaj nuk mund ta dijmë me siguri, se a është ai njëmend i vrarë dhe nëse po, a është vrarë në territorin e Serbisë apo të Republikës Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, përfshirë detajet tjera të rëndësishme e të nevojshme për hetim. Domosdo nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti”, ka thënë ajo.

    Tutje Haxhiu ka dënuar aktin e vrasjes së policit.

    “Aktet e ikjes së disa personave me precedent penal, që janë në vuajtje të dënimit apo në pritje të ekzekutimit të dënimit, janë shpeshtuar sistematikisht së fundmi në një mënyrë të tillë që më së paku do mund të kualifikoheshin si koincidencë. Akti i vrasjes të një polici e plagosjes së një tjetri në afërsi të Lloznicës në Serbi janë padyshim vepra të rënda kundër rendit, ligjit e policëve në detyrë zyrtare. Dënimi ndaj vrasjes së policëve është padiskutim akt i dënueshëm në çdo kuptim ligjor e moral. Ne dënojmë fuqishëm çdo veprim të tillë”, ka shtuar ajo.

    Reagimi i misnitres së Drejtësisë në lidhjet me pretendimet se një i arratisur nga burgjet e Kosovës është vrarë nga Policia në Serbi nuk ka përfunduar me kaq. Ajo ka fajsuar autoritetet serbe duke thënë se “grupet kriminale, nivelet e caktuara të pushtetit në Serbi janë duke ofruar mburojë që të arratisurit nga burgjet e Kosovës të mos ndiqën penalisht nga Kosova”.

    “E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës. Mburoja nuk jepet vetëm ndaj mos-ekstradimit por ndaj çfarëdo bashkëpunimi informativ me organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës. Një mbështetje e tillë është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllimin për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

    Haxhiu i ka reaguar edhe ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq. Sipas saj, ky i fundit ”është duke e përdorur këtë ngjarje për të krijuar një nevojë për kundërsulm ndaj shqiptarëve”.

    “Në anën tjetër, përdorimi i aktit të vrasjes kriminale të policit nga ministri i brendshëm në Serbi si shtysë e bazë legjitimimi për të krijuar nevojën e një kauze kundërsulmi ndaj shqiptarëve dhe institucioneve të tyre, apo për të krijuar një rrethanë të kinse barazimit me ngjarje të pakrahasueshme në asnjë dimension, është tërësisht i papranueshëm dhe i qëllimshëm. Kjo retorikë e Qeverisë në Beograd është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të gatuara në Beograd e që kanë një perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike”, ishin fjalët e Haxhiut.

    Në fund të reagimit të saj, ajo ka thënë se duhet të zhvillohet një hetim ndërkombëtarë “që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë”.

    “Një hetim vendor dhe ndërkombëtar është i domosdoshëm që të hetojë aktet sistematike të nxitjes e cytjes, organizimit e bashkëorganizimit të arratisjes së të burgosurve, paraburgosurve e të të kërkuarve nga drejtësia në Kosovë, në territorin e Serbisë, dhe krijimin atje të një ambienti mburojë ndaj pandëshkueshmërisë e ndjekjes penale të kriminelëve nga organet e Republikës së Kosovës. Si ministre e drejtësisë, ofroj bashkëpunimin e plotë të shtetit tonë në këtë drejtim”, ka përfunduar Haxhiu.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark