Një koktej u organizua enkas për të, para tre muajve. Në nëntor të vitit të kaluar, biznesmeni Remzi Ejupi u emërua Konsull Nderi i Maltës në Kosovë.
Aty konsulli maltez i nderit dha edhe një premtim të madh. Pohoi se do të punonte për të mundësuar një linje direkte nga Prishtina për në kryeqytetin e Maltës, Valleta, shkruan Gazeta Insajderi.
Por, tre muaj pas këtij nderimi afaristit Ejupi i erdhi një lajm i keq.
Një vendim që e favorizonte biznesin, i marrë në vitin 2018, u vlerësua si i pandershëm nga Qeveria Kurti.
Si vendim monopolistik që dëmton kompanitë tjera ajrore.
Vendimi u bë i ditur nga shefi i kabinetit të ministrit Liburn Aliu, e më pas për t’u jehuar u shpërnda në ‘Facebook’ nga zëdhënësi i Vetëvendosjes e Qeverisë.
“Nga 2018 deri tani kompania Eurowings ka pasur monopolin për të drejtat e pakufizuata për trafik ajror nga dhe për në Zvicër. Këtë gjë e kemi ndërprerë sepse konsiderojmë që është e padrejtë dhe e paligjshme”, ka shkruar Valon Hoti, duke ia bashkëngjitur vendimin e Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).
Në vendimin e AAC’së u bë e ditur pra që, ‘Eurowings’ me bashkëpunëtor në Kosovë ‘Eurokoha’-n dhe ‘Kosova Airlines’, dy kompani fluturimesh Kosovë-Zvicër dhe anasjelltas, do t’u revokohet autorizimi për fluturim. ‘Eurokoha’ dhe ‘Kosova Airlines’ janë në pronësi të Naim Ejupit, vëllait të Remzi Ejupit.
Vendimi për autorizimin e dy kompanive të biznesmenit Ejupi ishte marrë duke u bazuar në një memorandum mirëkuptimi mes Kosovës dhe Zvicrës më 2009-ën.
Atëkohë, ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ia kishte deleguar të drejtën për udhëtim në relacionet Kosovë-Zvicër kompanisë gjermane “Eurowings” dhe agjentit të autorizuar të saj “Kosova Airlines”.
Sidoqoftë, nga reagimet në ‘Facebook’ dhe arsyetimet e AAC’së, Qeveria Kurti ka lënë të nënkuptohet se do të caktojnë kritere për “çmime më të ulëta të udhëtimit”.
Vendimi u bë i mundshëm falë kapjes së Autoritetit të Aviacionit Civil së voni nga Qeveria Kurti. Më saktësisht, më 8 nëntor të 2023’ës, mori vendim që të shkarkohej Bujar Ejupi, ish-drejtori i AAC’së. Në krye të saj vendosi Alban Ramabajën si ushtrues detyre. /Insajderi.org/