×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Kontraktori i madh i Përparim Ramës, një histori me dokumente të falsifikuara në garat për tenderë

    Insajderi
    07 November 2023 - 16:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pronarët e kontraktorit të komunës së Prishtinës, që drejtohet nga Përparim Rama, “Sallahu” tashmë u është ngritur edhe një aktakuzë: thelbi i së cilës është falsifikim i dokumenteve për tenderë. Komuna e drejtuar nga Rama ua dha tenderin milionësh për projektin “Rruga A”, të cilin tashmë e ka bllokuar Gjykata Komerciale. Por, cila është historia tjetër e tyre me falsifikim dokumentesh, për të cilat ka raportuar edhe më herët Insajderi? Ka edhe një vendim gjyqi që i ka gjetur fajtor po për këtë vepër penale

    Gazeta Insajderi

    Në dhjetor të vitit 2020 Gazeta Insajderi kishte publikuar hulumtimin për një tender mbi 2 milionë euro në komunën e Vitisë, ku kompania “Sallahu” dyshohej se kishte falsifikuar dokumentet, e futur emra të inxhinierëve, në një rast edhe pa qenë fare ata në dijeni.

    I tillë ishte rasti i inxhinierit të gjeodezisë, Selim Berisha. Ai kishte deklaruar atëherë se nuk është në dijeni për para-kontratën e nënshkruar në emër të tij dhe kompanisë “Sallahu” dhe se nuk ka bashkëpunuar asnjëherë me këtë firmë.

    “Thënë shkurt: kompania ka keqpërdorur diplomën dhe nënshkrimin tim”, pati thënë inxhineri Selim Berisha.

    Prokuroria Speciale këtë javën që shkoi ka ngritur aktakuzë  kundër Lulzim Sallahut (pronar aksionar 100% i kompanisë) dhe ndaj Naim Sallahut. Akuza: falsifikim i dokumenteve.

    Edhe në këtë aktakuzë, vërehet dora e njëjtë: falsifikim i dokumenteve të inxhinierëve që do të punonin në projektin, për çka ishte shpallur tenderi.

    “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës, me vetëdije, me qëllim të mashtrimit si dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e Autoritetit Kontraktues, ashtu që kompania e tij “SA Sallahu” sh.p.k, të shpallej fituese e kontratës për projektin në fjalë, kishte paraqitur dokumente me përmbajtje të rreme, sikurse janë: CV-të dhe referencat në emër të N.M, I.F, B.K., dhe L.G.”, thuhet në aktakuzë.

    “SA Sallahu” sh.p.k megjithëse, sipas Prokurorisë Speciale, aplikoi me dokumente të falsifikuara, nuk e fitoi këtë tender, që në shpallje ishte planifikuar si tender i madh prej mbi 17 milionë eurosh, kurse në fund përfundoi duke u fituar nga dy kompani krejt tjera.

    Këtë tender, për të cilin është ngritur aktakuzë kundër Lulzim e Naim Sallahut një pjesë e fitoi konzorciumi i kompanive të drejtuara nga “Ekskavatori” me mbi 7.8 milionë euro, kurse pjesën tjetër “Papenburgu” me mbi 6.6 milionë euro.

    Edhe pse atë kohë nuk e fitoi këtë tender milionësh. Edhe pse, sipas Prokurorisë kishte aplikuar me dokumente të falsifikuara, Komuna e Prishtinës ia dha projektin e “Rruga A”, një tender mbi 8 milionë euro.

    Gjykata Komerciale ka vendosur masë të përkohshme kundër këtij projekti, për të cilin Insajderi ka raportuar në vazhdimësi, mbi dyshimet se tenderi iu dha biznesmenit të dënuar- diçka që bie në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit.

    Historia me falsifikime e “Sallahut”

    Në kohën kur “SA Sallahu” sh.p.k po aplikonte për të marrë tenderin e madh “Rikonstruimi i Rrugës Rajonale R115, Segmenti Prizren-Prevallë”, për çka Prokuroria Speciale veç ka ngritur aktakuzë kundër Lulzim e Naim Sallahut për falsifikim, ky i fundit veçse kishte një vendim të Gjyqit që ishte shpallur fajtor po për falsifikim.

    Ky tender ishte shpallur nga Ministria e Infrastrukturës, kur ministër ishte Pal Lekaj,

    Rrasti për të cilin u dënua Naim Sallahu ishte po për një tender po në Ministrinë e Infrastrukturës, zgjerimi i rrugës Gjurgjicë-Kjevë, ku ai kishte paraqitur dokument të rrem që nuk kishte obligime të pakryera në Administratën Tatimore. Kishte paraqitur edhe që i ka 50 punëtorë, kur i kishte vetëm 29.

    Organizata jo-qeveritare AVONET në atë kohë e pati denoncuar këtë kompani në Prokurorinë e Shtetit duke ua dërguar prokurorëv edh evendimin për dënim, me çka sipas Ligjit të Prokurimit i ndalohej pjesëmarrja kësaj firme në tenderë publik për 10 vite, por edhe se si e njëjta firmë po vazhdonte në atë kohë, 2021 kishte aplikuar në dhjetëra tenderë në nivel qendror e nëpër komuna.

    Në vitin 2020 një hulumtim i Gazetës Insajderi, bashkë me AVONET zbuloi se  kriteret e një tenderi të vlefshëm rreth dy milionë euro të Komunës së Vitisë dyshoheshin se ishin plotësuar rrejshëm.

    Skandali përfshinte kompaninë “Sallahu” Sh.p.k. dhe dy gjeodetë, njëri prej të cilëve dyshohet se ishte viktimë.

     “Sallahu” Sh.p.k., dyshohet për falsifikim të dokumenteve dhe përdorim të paautorizuar të dokumenteve profesionale të dy gjeodetëve në ofertat e Dosjes së Tenderit të emërtuar “Ndërtimi i rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik – Faza II”.

    Me qëllim përfitimin e tenderit për të cilin Komuna e Vitisë ka planifikuar 2.1 milionë euro, kompania me seli në Kaçanik kishte përdorur në mënyrë të paautorizuar dokumentet profesionale të inxhinierit të gjeodezisë, Selim Berisha.

    Një hulumtim i organizatës jo-qeveritare “AVONET” nga Ferizaj, pati zbuluar se kompania “Sallahu”, në Dosjen e Tenderit ka prezantuar një para-kontratë me Selim Berishën pa pëlqimin e gjeodetit.

    Madje, pa autorizimin e inxhinierit të gjeodezisë kompania “Sallahu” Sh.p.k. dyshohet se ka prezantuar edhe diplomën dhe referenca të falsifikuara pune në emër të tij.

    Në një përgjigje me shkrim për “AVONET”, Berisha pati thënë se nuk është në dijeni për para-kontratën e nënshkruar në emër të tij dhe kompanisë “Sallahu”.

    “Mund te konfirmoj qe janë te dhënat e mia personale si: numri personal, data e lindjes, diploma, etj. Po ashtu mund të konfirmoj qe NUK kam bërë asnjë para kontrate me kompaninë ‘Sallahu’ SHPK dhe as me përfaqësuesin e kompanisë z.Naim Sallahu, ne lidhje me projektin ne fjalë”, pati thënë Berisha. “Thënë shkurt: kompania ka keqpërdorur diplomën dhe nënshkrimin tim”.

    Për të plotësuar kërkesat sipas Dosjes së Tenderit, e cila parashihte angazhimin e dy inxhinierëve të gjeodezisë për përfitimin e kontratës së rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik, kompania “Sallahu” Sh.p.k. dyshohet për përfshirje në shkelje ligjore në bashkëpunim me Fadil Shehun, një inxhinierë të gjeodozisë të punësuar në ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenci”.

    Fadil Shehu ishte gjeodet i punësuar në kompaninë rajonale “Ibër-Lepenci”. Ai ishte gjeodet i licencuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, por licenca e tij është e limituar vetëm për nevojat e “Ibër-Lepencit”.

    Megjithatë, Fadil Shehu dhe kompania “Sallahu” Sh.p.k. patën lidhur kontratë mbi vepër për angazhimin e inxhinierit të gjeodozisë për përfitimin e kontratës publike në Komunën e Vitisë.

    Gazeta Insajderi pati kërkuar sqarime nga kompania “Sallahu” Sh.p.k. në lidhje me dy para-kontratat e nënshkruara me gjeodetët, mirëpo ata nuk kthyen atëherë përgjigje me arsyetimin se janë të angazhuar me punime në terren.

    Më 3, tetor 2020  e pati shpallur fituese ofertën e konsorciumit të kompanive “Pro & Co Group” dhe “Eskavatori” në vlerë prej 1.9 milion eurove.

    Kompania “Sallahu” Sh.p.k. nuk ishte eliminuar nga gara mbi dyshimet për falsifikim. Ajo nuk e fitoi tenderin pasi që oferta e saj ishte më e madhe se sa ajo fituese.

    Afera 8 milionëshe, “Rruga A” që u promovua nga Rama e Abduxhiku i LDK-së

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook pati promovuar rrugën A, më saktësisht tenderin mbi tetë milion euro që iu dha biznesmenit të dënuar nga gjykata.

    Abdixhiku e pati cilësuar rrugën A si një komunitet i ri në bërje, duke e vazhduar se pa fjalë e pa drama, një rrugë e re po e pret Prishtinën.

    Me 27 prill, të këtij viti kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Prishtinës, Përparim Rama, po ashtu patën inauguruar nisjen e projektit për ndërtimin e rrugës “Jim Xhema”, e njohur si rruga A.

    Kontratën që peshon 8.5 milionë euro e ka fituar kompania private nga Kaçaniku, “Sallahu SH.P.K“,

    Pronari i kësaj kompanie zyrtarisht është Lulzim Sallahu, por mbrapa tij qëndron vëllau u tij, Naimi, që është i dënuar për mashtrim me prokurimin publik.

    E pavarësisht kësaj, Abdixhikun nuk e ka penguar që ti promovojë punimet, në vazhdim e sipër të kësaj rruge.

    Tash për këtë projekt, Gjykata Komerciale në Prishtinë ka vendosur masë të ëprkoshme- pezullim të punimeve. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark