Hiç më pak se 750 mijë euro i ka planifikuar t’i shpenzojë në një tender, Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” në kryeqytet, për një aplikacion rreth menaxhimit të parkingjeve. Kjo ka bërë që kontrata, e cila është arritur në procedurë të negociuar, pa publikim, të cilësohet si e dyshimtë nga asamblistët e komunës së Prishtinës dhe ekspertët. E një tjetër tendër 12-milionësh, kohë më parë, ishte kritikuar nga opozita e Përparim Ramës, kryetari i Prishtinës. Ndërsa, nënkryetarja e kryeqytetit, ka thënë se do të marrë më shumë informacione nga Ndërmarrja, duke theksuar se nuk do të lejojë keqpërdorime.
Me 22 korrik të këtij viti Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking”, e cila aksionar e ka komunën e Prishtinës, ka nënshkruar kontratë me “INT Class Marketing”, kompani e themeluar saktësisht 18 muaj më parë.
Përveç kritikës për çmimin ekstrem të lartë, që ekspertët thonë se do të mund të realizohej me 50 mijë euro, kontrata është arritur në procedurë të negociuar, e pa publikim.
“Kontrata e dyshimtë”
Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në komunën e Prishtinës, kanë ftuar organet kompetente të hetuesisë për të hetuar këtë kontratë të dyshimtë.
“Fillimisht duhet thënë se ka qenë krejt e panevojshme që një kontratë e tillë të bëhet në formën si ka ndodhur. Nuk ka pasë asnjë emergjencë që e njejta të bëhet me procedure të negociuar dhe pa publikim të njoftimit të kontratës. Çështje në vete është vlera e kontratës. 750.000.00 euro është shuma e përcaktuar apo e negociuar në mes të “Prishtina Parking” dhe OE. Sipas njohësve të fushës, vlera reale e aplikacionit, që është objekt i kontratës, është shumfish herë më e vogël. Në këtë rast, ftojmë organet kompetente t’i fillojnë hetimet për këtë keqpërdorim dhe abuzim të fondeve publike” janë shprehur ky grup i Vetëvendosjes.
Krahas kësaj, asamblistët e VV-së kanë kritikuar afërsinë e kryeshefit të kësaj ndërmarrje, Liridon Restelica, me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
Asamblisti Arianit Beqiri, që është edhe asistent i kryeministrit Albin Kurti, ka pretenduar se nga ky tender Restelica dëshiron t’i ndihmojë kryetarit për t’i larë borxhet milionëshe.
Reagimi i nënkryetares
Nënkryetarja e Prishtinës nga PDK, Donjeta Sahatçiu ka thënë se kontrata në vlerë prej 750 mijë eurove ka shumë pikëpyetje.
Ajo ka thënë se ka kërkuar informata nga kryeshefi për konstatim përfundimtar dhe se përderisa është në kryeqytet si nënkryetare nuk do të ketë tolerancë ndaj keq-qeverisjes.
“Shumë pikëpytje në kontratën 750,000 euro të NPL Prishtina Parking për “Shërbim me softuer për menaxhimin me parkingje publike në Komunën e Prishtinës. Lajmi tendencioz për asocimin e kontratës nën dyshime me qeverisjen e PDK në Prishtinë, të udhëhequr nga unë, është qesharak. Nëse është dikush në Kryeqytet që mund të thirret për ekspertizë në shërbime të tilla me softuer – jam unë. Dhe unë, jam edhe Nënkryetare e Kryeqytetit nga PDK.”, shkroi ajo.
Tutje, Sahatçiu tha se do të mbajë distancë në prononcime deri në informimin e hollësishëm rreth kontratës.
“Nuk njihem për nguti. Derisa pres të pajisem me të gjitha informatat dhe materialet e këtij procesi nga kërkesa e parashtuar tek Kryeshefi i ndërmarrjes për konstatim përfundimtar, do të mbaj distancë në prononcime shtesë lidhur me këtë çështje. Në ndërkohë ju siguroj që derisa jam në Kryeqytet, nuk do të ketë tolerancë në keq-qeverisje dhe nuk do të ketë heshtje për procese të dyshimta. Aq më pak në digjitalizim. As tash, as kurrë”, është shprehur nënkryetarja Sahatçiu.
“Prishtina Parking” i ‘zbut’ pretendimet për dyshime
“Prishtina Parking” ka thënë se kjo nuk është shuma që do t’i paguhet Operatorit Ekonomik, por në bazë të kontratës së nënshkruar, Ndërmarrja do t’i paguajë kompanisë 15 % të të hyrave për çdo shërbim që kryen kompania e kontraktuar.
“Ta zëmë nëse Operatori Ekonomik kryen shërbime nga të cilat Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” inkason 100 euro, nga kjo shumë 15 % e të hyrave(15 euro) do t’i marrë kompania e kontraktuar për të kryer shërbimet. Gjithashtu në bazë të kontratës së nënshkruar, Operatori Ekonik ka për obligim të furnizojë stafin me pajisje elektronike si telefona dhe printer digjital, ndërtimin e një server rrom, vijëzimin e të gjitha parkingjeve në të gjitha lagjet e Prishtinës, vendosjen e tabelave vertikale, mirëmbajtjen e sistemi, si dhe trajnimin e stafit për përdorimit e sistemit”, thuhet nga “Prishtina Parking”.
Ndërmarrja “Prishtina Parking”, që nga viti i kaluar, ka filluar të menaxhojë parkingjet publike të kryeqytetit.
Por, që nga startimi i punës së tyre, qytetarët janë deklaruar kohë pas kohe për menaxhim të dobtë të tyre dhe vështirësim të punës.