×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kontrata milionëshe Paykos-Telekom, ky është veprimi i fundit nga Prokuroria

    Insajderi
    27 April 2023 - 17:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Është duke i ardhur fundi procesit hetimor për kontratën milionëshe të Telekomit të Kosovës me kompaninë “Paykos LLC” i cili ka nisur rreth 2 vite e gjysmë më parë.

    Lajmi i fundit që lidhet më këtë rast është se Prokuroria është në fazën e fundit të hetimeve ku pritet shumë shpejt t’i jep epilog përfundimtar çështjes.

    Insajderi ka pyetur Prokurorinë për ecurinë dhe kur pritet të përfundoj ky proces.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë është në përfundim të hetimeve, pra çështja gjendet në fazën e fundit për t’i dhënë epilogun përfundimtar”, thuhet në përgjigjën e Prokurosië.

    Prokuroria ka qenë në pritje të riekspertizës së kësaj çështje dhe këtë në përgjigjen për Insajderin thuhet se këtë e kanë pranuar në mars të këtij viti.

    “Prokuroria ka qenë në pritje të riekspertizës së kësaj çështjeje, derisa më 29.03.2023 e ka pranuar të njëjtën, dhe ka vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve të tjera konform Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

    Për çfarë kontrate bëhet fjal dhe si përfundoi nën llupën e Prokurorisë

    Kontrata milionëshe kishte të bënte me shitjen e mbushjeve të operatorit “Vala”, të nënshkruar mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos”. Ajo ra në duart e Policisë dhe Prokurorisë që nga muaji qershor i vitit 2020 kur Telekomi i Kosovës kishte dorëzuar për herë të parë një kallëzim penal.

    Kjo kontratë pretendohet se i ka sjellur dëme të mëdha Telekomit të Kosovës. Sipas të dhënave, vetëm katër muaj pasi që ishte regjistruar si biznes, kjo kompani kishte nënshkruar kontratë me Telekomin në vlerë milionëshe. Përmes kësaj marrëveshjeje të arritur në mars të 2015 ajo kishte për obligim shitjen, distribuimin dhe promovimin e mbushjeve Pre Paid. Ajo ishte nënshkruar nga ish-kryeshefi i PTK-së, Agron Mustafa.

    Sipas kontratës, “PayKos”-i, obligohej që të zgjeronte rrjetin e pikave të shitjes së mbushjeve nëpër Kosovë. Në bazë të dokumenteve, rreth 10 milionë euro është fitimi i kompanisë “PayKos” për katër vjet, nëse llogariten të hyrat nga shitjet që pati kompania, provizioni prej 9.7 për qind dhe zbritjet e bonuset që i shkonin “PayKos”-it.

    Nga viti i nënshkrimit, “PayKos” ka fituar rreth 7.5 milionë euro si komisione për shitje të mbushjeve, minimum rreth 1 milion euro bonuse për arritje të trageteve, si dhe minimum rreth 1 milion euro për blerjen e mbushjeve me çmime zbritjeje nga operatori. Kohëzgjatja ishte ndryshuar disa herë. Në tetor 2016, palët u pajtuan që marrëveshja të zgjasë deri në 2020 me mundësi vazhdimi edhe për 4 vjet të tjerë. Ndërsa në dhjetor të 2017-s u shtua një afat i ri 5- vjeçar, që fillonte më 1 janar 2018.

    Që nga viti 2020 kjo kontratë është duke u hetuar nga organet e hetuesisë.

    “Paykos” dërgon në Arbitrazh Telekomin – Kjo është përgjigja e tyre për Insajderin

    Pas shkëputje të kontratës, në qershor të vitit 2022, Telekomi i Kosovës është njoftuar se kompania “Paykos” e ka dërguar atë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

    Nga kjo “Paykos” po kërkon dëmshpërblim në vlerë 800 mijë euro nga Telekomi i Kosovës.

    Por për kërkesa Tekelomi i ka quajtur të paqëndrueshme. Në një përgjigje për Insajderin nga Telekomi thuhet se kërkesa e “Paykos” në Arbitrazh po e dëmton rëndë Telekomin.

    “Telekomi i Kosovës konsideron se kërkesat e PayKos LLC janë të paqëndrueshme dhe e dëmtojnë rëndë kompaninë tonë, prandaj me të gjitha mjetet ligjore do ta mbrojmë atë përmes një përfaqësimi ligjor adekuat, kudo që të jetë nevoja” thuhet në përgjigjen e tyre. 

    Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga menaxhmenti i kompanisë “Paykos” në lidhje me pretendimet e tyre në padinë e dorëzuar në Arbitrazh, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

    Deri më tani ende nuk është mbajtur asnjë seancë në Arbitrazh dhe të njëjtët janë në procesin e zgjedhjes së arbitrave.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark