×
  • Lajme
  • Lajme

    Kontrata për mbushjet: PayKos-it iu ‘trashën’ fitimet nga Telekomi edhe gjatë 2020-s

    Insajderi
    30 July 2021 - 11:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Auditori i Përgjithshëm gjeti se Telekomi i rriti provizionet për të gjitha shërbimet që i kreu kompania “Pay-Kos gjatë vitit 2020, duke i mundësuar kompanisë private fitime qindra mijëra euro mbi kontratën bazë.

    Telekomi i Kosovës i ka mundësuar kompanisë “Pay-Kos”, me të cilën ka kontratë për shitjen e mbushjeve, fitime përtej kontratës bazë edhe gjatë vitit 2020.

    Auditori i Përgjithshëm gjeti se Telekomi i rriti provizionet për të gjitha shërbimet që i kreu kompania, pa një analizë që do të duhej ta merrte miratimin paraprak të Bordit të ndërmarrjes.

    Si pasojë, ndërmarrja vetëm gjatë vitit 2020 nga kontrata me “PayKos”, u dëmtua qindra mijëra euro.

    “Ndryshimi i kushteve të kontratës, e rriti koston e provizioneve të shitjes me vlerë 366,630.52 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së për Telekomin për vitin 2020.

    Me këtë kompani, Telekomi ka kontratë që nga viti 2015. Objekt i kontratës është shitja, distribuimi dhe promovimi i mbushjeve Pre Paid. Mirëpo, që nga ajo kohë kompania ishte favorizuar disa herë edhe me ankes-kontrata.

    Ndryshe nga kontrata bazë, që parashikonte provizion prej 9.7 për qind për kompaninë, në vitin 2020 kjo arriti në 11.45 për qind.

    “Provizioni për shitjet mbi 0.5 milion nga 1% në 1.18%, provizionet për shitjet mbi 1 milion për tremujor nga 1% janë bërë 1.18%, provizionet për marketing nga 1.20% në 1.42% dhe provizioni vjetor mbi 5 milion në vit qarkullim nga 1% është bërë 1.18%”, thuhet në raportin e Auditorit.

    Kështu, Telekomi në vitin 2020 kishte paguar kompaninë për provizion bazë 281,807 euro më shumë sesa që ishte paraparë në kontratën bazë. Për provizionet për shitjet mbi 0.5 milion, 10,103 euro më shumë sesa që ishte paraparë në kontratën bazë. Ndërsa për provizionet për marketing 32,814 euro më shumë sesa që ishte paraparë në kontratën bazë.

    “Për provizionet për shitjet mbi 1 milion për TM (kuartal) 21,852 euro më shumë sesa që ishte paraparë në kontratën bazë; dhe – për provizion (bonus) vjetor mbi 5 milion në vit 20,052 euro më shumë sesa që ishte paraparë në kontratën bazë. Kjo kishte ndodhur si shkak i interpretimit gabim të dispozitave të kontratës që kanë të bëjnë me mënyrën e llogaritjes së provizioneve dhe bonuseve nga ana e menaxhmentit të kompanisë dhe OE”, thuhet në raport.

    Në total, sipas Auditorit, ndryshimi i kushteve të kontratës, e rriti koston e provizioneve të shitjes në vlerë të 366,630.52 euro.

    Për më tepër, këto veprime menaxhmenti i Telekomit i kishte ndërmarrë pa një vlerësim paraprak nga Bordi i Ndërmarrjes.

    “Bordi i Drejtorëve të sigurojë, që vendimet për të ndryshuar kushtet e kontratës, të jenë të bazuara në analiza paraprake të përshtatshmërisë ekonomike, për të evituar efektet financiare negative nga vendimet e pafavorshme për Kompaninë”, vlerëson Auditori.

    Të njëjtin “avaz”, ndërmarrja publike që është duke operuar me humbje e kishte ndjekur edhe në vitin 2019. Në tri raste, kompania kishte blerë nga Telekomi mbushje në vlerë të 3 milionë eurove, prej nga fitoi 900 mijë euro, ani pse me kontratën bazë provizioni ishte përgjysmë më i vogël.

    Si rezultat, prej 18.7 milionë euro sa ishte vlera e mbushjeve të shitura gjatë vitit 2019, kompania fitoi nga provizioni 2.9 milionë euro. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark