×
  • Lajme
  • Analiza

    Kontratat e mbyllura që peshojnë mbi 80 milionë euro mbi të cilat e ka vulën Nagip Krasniqi

    Insajderi
    20 April 2023 - 11:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia e Kosovës ka arrestuar dje kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqin.

    Ai u dërgua në mbajtje për 48 orë për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por, për çfarë mbahet mend Nagip Krasniqi në KEK?

    Pa dyshim – për kontratat milionëshe që kryeshefi i KEK-ut i dha pa publikim të kontratës. Janë mbi 80 milionë euro që Krasniqi i dha në mënyrë direkte vetëm brenda një viti, dhe atë për më pak se dhjetë tenderë.

    Tenderi më i madh një burim peshon 56 milionë euro dhe ka të bëjë me modernizimin e turbinave B1 dhe B2, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kontrata tjetër që u dha pa negocim e që ka të bëjë me dizajnin, furnizimin dhe kryerjen e punëve lidhur me dilatimet e kaldajave B1 dhe B2 në TC Kosova B, kap shifrën e mbi 15 milionë eurove.

    Pa publikim të kontratës u dhanë edhe 8.4 milionë euro të tjera për riparimin kapital të një kaldajeje dhe 2.2 milionë të tjera për prodhimin, liferimin në lidhje me dilatimet e kaldajës B1 dhe B2.

    Krejt këto aktivitete të prokurimit janë zhvilluar në procedurë të mbyllur, e cila sipas Nenit 35, të Ligjit të Prokurimit përdoret vetëm në rast të emergjencave ekstreme, shkruan Gazeta Insajderi.

    3.4 milionë euro tender i negociuar në KEK, detaje për kontratën për të cilën po intervistohet Kryeshefi

    Në fillim të shkurtit të këtij viti Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nënshkroi kontratë mbi 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA”. Puna që duhej të kryente kjo kompani dhe partneri vendor “Bujar B. Shala B.I.”. ishte për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

    Kontrata ishte e negociuar dhe u bë shpejt. Derisa vet thirrja u shpall më 27 janar, 2023, njoftimi që është lidhur kontrata u bë më 3 shkurt.

    Me këtë kontratë pritej që të ktheje në punë ky bllok në fillim të muajit prill 2023.

    Derisa konpania “Litwin SA” ishte në garë edhe në një tender të anuluar më herët po për riparimin e bllokut A5, kpmpania Bujar B. Shala B.I. , sipas përditësimit më të fundit në Agjencinë e Bizneseve del që është regjistruar më 25 janar të vitit 2022 dhe aktivitet primar e ka “Tregtia tjetër me pakicë, jo në dyqane, tezga ose tregje”. Madje nuk ka as numër kontaktues.

    Blloku A5 i termocentraleve “Kosova A” kishte dalë jashtë funksionit që nga 19 korriku 2022.

    Përpjekja për remontin e Njësisë A5 kishte filluar që nga gushti i 2022. Tenderi me procedurë të hapur për remont kapital të njësisë A5, i shpallur në fund të muajit gusht kishte dështuar pasi nuk kishte pasur ofertues andaj tenderi i dytë ishte hapur me procedurë të negociuar.

    Për remontin e njësisë A5, KEK-u ka zhvilluar procedurën e negociuar me disa operatorë. Blloku A5 i termocentralit “Kosova A” ka kapacitet prej 210 megavatë për orë.

    KEK gjatë vitit 2022 ka hapur dy tenderë për remontin kapital të këtij blloku i cili është jashtë funksionit por që vetëm më hapjen e tenderit me procedurë të negociuar ka arritur të nënshkruajë kontratë, shkruan Gazeta Insajderi.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark