Regjimi i terrorit të liderit suprem të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka rifilluar të japë urdhra për ekzekutime, thuhet në një raport të spiunëve të shtetit të Koresë së Jugut.
Sipas këtij raporti, Kim Jong-un ka ekzekutuar pesë zyrtarë të lartë të shtetit duke përdorur armë kundërajrore, pasi kishin bërë disa raportime të rrejshme të cilat e kanë “tërbuar” liderin suprem, raporton Associated Press.
Këto komente të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës së Koresë së Jugut, shtetit fqinj të Koresë së Veriut, kanë ardhur pas disa raporteve të mëparshme, në të cilat thuhej se Kim Jong-un ka urdhëruar edhe vrasjen e gjysmë-vëllait të tij, Kim Jong-nam.
Hetimet për këtë vrasje janë duke u zhvilluar në Malajzi, atje ku u vra Kim Jong-nam, mirëpo Koreja e Jugut beson se ishte lideri i Koresë së Veriut që urdhëroi vrasjen e vëllait të tij në Kuala Lampur të Malajzisë.
Kim Jong-nam u vra më 13 shkurt të këtij viti. /Insajderi.com