Koreja Veriore i ka lansuar katër raketa balistike, ndërsa së paku tri prej tyre kanë rënë në ujërat që kontrollohen nga Japonia, ka thënë sot kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe.
“Koreja Veriore sot i ka lansuar katër raketa balistike pothuajse në mënyrë simultane dhe ato fluturuan një mijë kilometra”, tha kryeministri Abe, gjatë fjalimit të tij në Parlamentin e Japonisë.
Sipas tij, tri raketa kanë rënë në Zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë.
Ushtria e Koresë Jugore tha se “disa raketa” janë hedhur në Detin e Japonisë dhe se ushtria e këtij vendi së bashku me atë të Shteteve të Bashkuara, po i analizojnë të dhënat për fluturim për të zbuluar detaje të tjera.
Konsiderohet se ky lansim raketor verikorean ka pasur për qëllim që t’i kundërshtoj ushtrimet e përbashkëta ushtarake ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Jugore, të mbajtura më 1 mars, për testimin e mbrojtjes kundër agresionit potencial të Koresë Veriore, shkruan REL.
Koreja Veriore i pat kritikuar këto manorva, duke i cilësuar si përgatitje për luftë kundër saj.