
Shkruan Arben Fetoshi:
Rëndësia e zgjedhjeve lokale të së dielës (12 tetor) i tejkalon suazat e një gare politike për qeverisjen e komunave në Kosovë.
Ndërhyrjet e Serbisë, më agresive se në të kaluarën për shkak të dështimit të politikës së bojkotit (2022) dhe rënies së kontrollit të saj në veri, i kanë kthyer ato në një fushëbetejë gjeopolitike që kalkulon arritjen e qëllimeve përmes rreshtimit me boshtin rus.
Ajo që kamuflohet si fushatë zgjedhore e Listës Serbe është në fakt një koreografi e përgatitur në Beograd për ta vazhduar kontrollin mbi komunitetin serb si instrument politik kundër Republikës së Kosovës. Teatri dhe prapaskenat e ndërhyrjes Serbia nuk e ka hallin e votave dhe minimi i demokracisë në Kosovë nuk është vetëm agjendë e saj ideologjike.
Përballë humbjeve si rezultat i dështimit të strategjisë së bojkotit në vitin 2022 dhe tkurrjes së Listës Serbe në vitin 2025, ajo e ka projektuar rikthimin e ndikimit përmes komunave me shumicë serbe dhe një strategjie të re destabilizimi.
Duke pasur parasysh “thellësinë strategjike” të Kosovës me prezencën e NATO-s dhe aleatët perëndimorë, ajo kërkon “gjerësi strategjike” me Rusinë dhe Kinën. Mbështetja e saj për Listën Serbe nuk është pozicion gare apo preferencë politike, por një instrument për ta rikthyer kontrollin në komunat me shumicë serbe. Ndërhyrjet për ta mobilizuar votën në favor të këtij subjekti nuk duhen parë thjesht si cenim i vullnetit demokratik të qytetarëve, sepse ato janë më tepër mesazh i “unitetit” për ta portretuar Beogradin si qendër të vendosjes.
Duke e mbajtur komunitetin serb nën kontroll, Vuçiq do të vazhdojë ta përdorë atë si instrument politik për sabotimin e Kosovës. Në këtë funksion i ka ngritur fushatat mashtruese dhe vazhdon të përdorë taktika të sofistikuara hibride që përfshijnë mediat, kulturën, rrjetin e spiunazhit dhe sulmet kibernetike. Krahas metodave të mëparshme të hapura dhe të fshehta për ndikimin e votuesve, në fushatën e zgjedhjeve të 12 tetorit ajo ka përdorur më shumë simbole kulturore pro-ruse dhe narrativa reflektive që shtrembërojnë të vërtetën.
Koncerti i planifikuar nga Lista Serbe me këngëtaren pro-ruse, Breskvica, e njohur për këngën me përmbajtje të koduar shoviniste “Foleja e shqiponjës” (Gnezdo orlovo), konfirmon jo vetëm rolin e këtij subjekti si vegël e Beogradit, por edhe rreshtimin e tij pro-rus. Ndalimi i këtij provokimi për shkaqe të sigurisë, u pasua me akuza ndaj policisë për represion dhe deklarata të forta nacionaliste të Listës Serbe. Diskursi i saj elektoral ka përdorur kornizim të njëjtë shovinist me atë të Beogradit përmes thirrjeve mobilizuese “vota për Listën Serbe, votë për çlirimin e Mitrovicës”, apo narrativat “viktimizuese” kundër kthimit të shqiptarëve në pronat e tyre, duke i paraqitur si përpjekje për “albanizimim të komunave serbe”.
Nga ana tjetër, me ashpërsi më të madhe se në të kaluarën, ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet e 12 tetorit përfshin metodat si presioni politik (linçimin e kandidatëve të pavarur si “tradhtarë” dhe “vegla të Prishtinës”), shantazhi (premtimi i Vuçiq për shpalljen e 400 vendeve të punës në shërbimin shëndetësor), blerja e votës (Petkoviq për ndihmën financiare në emër të asistencës sociale), e deri te kërcënimet në forma të ndryshme.
E vërteta si demaskim Përdorimi i muzikës, liturgjive dhe forumeve ndërkombëtare për “të vërtetën” e një fushate zgjedhore lokale, është strategji politike që synon “armatosjen e brendshme” dhe “mashtrimin e jashtëm”. Kur një këngëtare promovohet nga rrjeti i dirigjuar mediatik dhe narrativa e sinkronizuar me agjendën e Moskës, fushata për zgjedhjet lokale merr përmasa gjeopolitike. Nënteksti i mesazheve triumfaliste të Listës Serbe rezonon me thirrjet shoviniste “kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Një kërcënim i tillë i vazhdueshëm për paqen në Ballkan, duhet “t’i lejohet” Serbisë militariste, ndërkaq kur Kosova arrin marrëveshje për mbrojtjen me Shqipërinë e Kroacinë, apo kur i rrit kapacitetet e saj ushtarake, përbën “kërcënim” për Serbinë.
Kjo skenë ironike e “viktimizimit” serb u përsërit edhe këto ditë, pas arritjes së kontigjentit të dronëve kamikazë “Skydagger FPV” për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Zyrtarët serbë e akuzuan Turqinë se ka shkelur Rezolutën 1244 të OKB-së, ndërsa e cilësuan blerjen kërcënim të drejtpërdrejt për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Një shtet me të kaluar gjenocidale, që e ka sulmuar (2023) dhe vazhdon ta provokojë Kosovën, e që është militarizuar kërcënueshëm në vitet e fundit, “ankohet” se Kosova për i rrit kapacitetet e veta të mbrojtjes. Një strategji tipike DARVO (mohim, agresion, viktimizim) që synon të mbajë aftësinë e destabilizimit në kontekstin aktual: sa më gjatë që e pengon konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës, aq më shumë gjasa për përfitim politik. Kjo është koreografia gjeopolitike e zgjedhjeve të 12 tetorit, ndaj të cilës vetëm e vërteta shërben si mekanizëm efikas parandalimi. Me vigjilencë dhe gatishmëri të lartë reagimi të institucioneve të sigurisë kundër çdo forme që cenon integritetin e procesit zgjedhor dhe me dokumentim e demaskim të dirigjentit në Beograd nga ana e mediave dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, Serbia do të digjej më keq se Rusia në Moldavi dhe vullneti demokratik do të triumfonte në Kosovë. Autori është Drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”