
Gjetjet e programit për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, KOSME, një projekt i përbashkët mes Qeverisë së Kosovës, Zvicrës dhe Austrisë, tregojnë se shumica e bizneseve në vend janë duke luftuar për mbijetesë.
“60 për qind e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) luftojnë për mbijetesë ndërsa 10% e tyre janë në prag të shuarjes”, thuhet në gjetjet e këtij programi, të publikuara dje ( të mërkurën).
Projekti KOSME përkrahë Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që të përmirësoj qasjen ndaj bizneseve të vogla dhe të mesme, që është një parakusht për zhvillimin e sektorit privat.
Projekti zbatohet nga Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS) dhe deri më tash ka realizuar disa hulumtime siç janë: “Gatishmëria e NVM-ve të Kosovës për investime në rritje dhe zhvillimi – 2016”, dhe “Eksportet e NVM-ve – qasja, faktorët e suksesit, dhe pengesat – 2016.”, “Raporti i hulumtimit të NVM-ve – 2014, dhe “Vlerësimi i kapaciteteve të këshilldhënies – 2013”.
Po ashtu KOSME ka publikuar edhe raportin e vlerësimit të konkurrencës në Komuna gjatë vitit 2015.