
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur në takim ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Josip Buljeviç, me ç’rast kanë biseduar për bashkëpunimin midis institucioneve të sigurisë dhe të mbrojtës së Kosovës dhe atyre të Kroacisë.
Presidentja Jahjaga ka çmuar lart bashkëpunimin e deritanishëm midis dy vendeve në këtë fushë dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të tij në interes të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global.
Në anën tjetër Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Josip Buljeviç, ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kroacisë për të vazhduar mbështetjen dhe për të thelluar bashkëpunimin me institucionet e mbrojtjes dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës.
Në këtë takim është folur edhe për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Kroacisë u ka dhënë proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova, me theks në bashkëpunimin që ka pasur ministria që ai drejton me Ministrinë e Forcës së Sigurisë, si dhe bashkëpunimin midis Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës./Insajderi.