“Kosova duhet të lejojë autonomi për serbët”- çka thotë artikulli i mediumit amerikan? – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Kosova duhet të lejojë autonomi për serbët”- çka thotë artikulli i mediumit amerikan?

    Insajderi
    05 November 2023 - 12:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mediumi prestigjioz amerikan ‘Fox News’ ka shkruar lidhur me paralajmërimet e BE-së për konsekuenca në rast të mos-normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Në artikullin në fjalë, ndër të tjera citohet jo-drejtpërdrejtë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të ketë thënë se “Serbia duhet ta njohë de-fakto Kosovën si komb të pavarur dhe Kosova duhet të mundësojë autonomi për serbët në veri të Kosovës”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lidhur me këtë ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, njëherësh edhe ish-kryeministër. Hoti pretendon se kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani janë pajtuar për dhënien e autonomisë serbëve në veri.

    “Ja për çfarë janë pajtuar Kurti-Osmani në fillim të këtij viti. Nëse nuk është e vërtetë kjo që ka thënë znj. Ursula von der Leyen, Kryeministri dhe Presidentja duhet ta demantojnë menjëherë. Është obligim i juaj, dilni dhe sqaroni qytetarët”, ka deklaruar Hoti.

    Por, çka përmban artikulli i Fox News? Përkthim dhe përshtatje, pa ndërhyrje:

    Ambiciet e Serbisë dhe Kosovës për t’iu bashkuar Bashkimit Evropianë mund të jenë në rrezik serioz nëse dy rivalët historikë refuzojnë të normalizojnë marrëdhëniet.

    Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen lëshoi një paralajmërim të ashpër gjatë një vizite në rajon për promovimin e planin ekonomik prej 6 miliardë eurosh (rreth 6.3 miliardë dollarë) të BE-së për Ballkanin Perëndimor, si pjesë e planit për të integruar rajonin e trazuar në BE.

    Von der Leyen tha se Serbia duhet ta njohë de fakto Kosovën si një komb të pavarur dhe Kosova duhet të lejojë autonomi për serbët etnikë në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë shumicën. Kjo do të plotësonte efektivisht angazhimet e mëparshme të Serbisë dhe Kosovës të negociuara në fillim të këtij viti, por ka pak shenja që të dy palët të vazhdojnë negociatat.

    “Deklaratat e një përfaqësueseje kaq të lartë politike kanë peshë, megjithatë, ne duhett të presim nëse ato do të sjellin ndonjë ndryshim”, tha për ‘Fox News Digital’ Helena Ivanov, bashkëpunëtore në Shoqërinë Henry Jackson.

    “Deri më tani, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka qenë shumë i qartë se Asociacioni i Komunave Serbe nuk është në të vërtetë në tryezë dhe Serbia e ka të qartë se anëtarësimi në OKB për Kosovën është një linjë e kuqe. Si planifikon saktësisht BE-ja t’u bëjë presion të dyve mbetet e paqartë, në mënyrë që palët të kalojnë linjat e tyre përkatëse”, shtoi Ivanov.

    Teksa 92% e Kosovës janë shqiptarë, serbët në veri janë shumicë dhe i mbeten besnikë Beogradit dhe refuzojnë të pranojnë shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe, një zotim që Kosova e bëri në vitin 2013 si pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, ishte projektuar me qëllim që t’i jepte shkallë të konsiderueshme të vetëqeverisjes komunitetit serb në Kosovë. Megjithatë, krijimi i tij është vonuar që kur kryeministri Kurti mori pushtetin dhe filloi të nxjerrë në pah frikën se krijimi i një entiteti të tillë autonom në thelb do të lindte një shtet brenda një shteti në Kosovë, ku Beogradi mund të ushtronte ndikim të padrejtë mbi komunitetin serb.

    Bisedimet midis dy vendeve kanë qenë të tensionuara që kur Kosova pretendoi se presidenti i Serbisë ishte në dijeni për një sulm të paramenduar ku u përfshinë 30 persona të armatosur që hapën zjarr ndaj policisë në një fshat të mbizotëruar nga serbët në veri të Kosovës, dhe më pas sulmuan një manastir ortodoks.

    Raundi i fundit i dhunës është një tjetër hap prapa për procesin e paqes. Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë u takuan me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe Kurtin javën e kaluar në Bruksel dhe u kërkuan të dy vendeve të de-eskalojnë tensionet dhe të rifillojnë bisedimet për normalizim. Bisedimet u ndërprenë dhe të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën për pengesat.

    Si Serbia ashtu edhe Kosova janë aspirante në BE dhe përfundimi i grindjeve është kërkesë thelbësore për të fituar anëtarësimin. Dështimi për të përmbushur detyrimet e tyre ose rritja e tensioneve do të ketë pasoja negative për proceset e anëtarësimit të tyre në BE dhe do të bllokojë çdo ndihmë të mundshme financiare të BE-së. Një burim diplomatik me njohuri të nivelit të ekspertit për rajonin thotë se ajo që Vuçiqit i duhet nga BE-ja janë përfitimet e të qenit vend kandidat pa viza dhe aksesi në këto fonde të zhvillimit të BE-së, dhe ai aktualisht i ka të dyja. Vuçiq dëshiron që procesi i integrimit në BE të jetë sa më i ngadalshëm dhe të mos zgjidhet kurrë plotësisht.

    Serbia dhe Kosova varen shumë nga ndihma financiare e BE-së dhe tregtia e përgjithshme me vendet e BE-së. BE përfaqëson partnerin numër një tregtar dhe është donatori më i madh për Serbinë, duke ofruar mbi 3 miliardë euro (afërsisht 3.1 miliardë dollarë) ndihmë gjatë 10 viteve të fundit. Ndihma direkte financiare nga BE-ja për Kosovën është më shumë se 1.3 miliardë euro (afërsisht 1.3 miliardë dollarë).

    Serbia aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe mosmarrëveshja e vazhdueshme me Kosovën dhe gjakderdhja e fundit që implikon Beogradin është pengesa më e madhe për anëtarësimin në BE. Kosova ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE në vitin 2022.

    Konflikti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës pas luftës së vitit 1999 është i pazgjidhur dhe është pengesë për integrimin e tyre të mëtejshëm evropian. Kosova ishte një ish-krahinë e Serbisë dhe dikur ishte e integruar brenda Jugosllavisë. NATO udhëhoqi fushatën e bombardimit kundër Jugosllavisë në vitin 1999, e cila përfshinte Serbinë dhe Malin e Zi, për të mbrojtur shqiptarët etnikë të Kosovës kundër dhunës nga Beogradi. Gati një dekadë më vonë, në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, por Serbia refuzon ta njohë pavarësinë e tyre. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark