Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci gjatë një debati për procesin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” tha se mosfurnizimi i rregullt me energji elektrike ka shkaktuar dëme rreth 300 milionë euro. Po ashtu sipas tij, mosfurnizimi i rregullt me rrymë sjell pengesa për bizneset.
“Gjatë negocimit të kushteve kemi pasur dy synime, që të sigurohet furnizimi i rregullt me energji eklektike si dhe përballushmëria e faturave”, tha Stavileci.
Sipas tij, Termocentrali “Kosova e Re” do të jetë zgjidhje shumëvjeçare e furnizimit me energji eklektike.
Ai ka bërë të ditur se pas përmbylljes së pakos tenderues, kontrata për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” pritet të fillojë vitin e ardhshme, deri sa faza e ndërtimit do të zgjasë deri në katër vite.
“Kosova e Re pritet të jetë pjesë e sistemit energjetik, më 2022, pra nga ky vit do të fillojë të prodhojë energji elektrike”, ka bërë të ditur ai.
Stavilecvi ka treguar se teknologjia për prodhimin energjisë elektrike nga “Kosova e Re” do të jetë ajo e fundit, me ndotje minimale të ambientit.
Ministri Blerand Stavileci, ka thënë se synimi i zgjedhjeve për mjedisin kanë qenë që të jenë sa më të qëndrueshme. “Në qershor do ta kemi një takim të ministrave të energjisë dhe mjedisit që t’i trajtojmë edhe çështjet e ambientit. Të gjitha zgjidhjet që do të ofrohen do të jenë sipas standardeve më të larta mjedisore”, tha ai.
Ai ka folur edhe për ndikimet që do t’i ketë ndërtimi i “Kosovës së Re” në faturat e konsumatorëve.
Edhe po të mos ekzistonte projekti i “Kosovës së Re”, sipas Stavilecit, investimet që bëhen ne sektor do të ndikonin në kostot e energjisë. “Brenda 6 viteve do të ketë një rritje 28 %, që i bie 4.6% për çdo vit rritje të çmimit të rrymës, por që mund të amortizohet”, tha ai.
Sipas tij, qeveria e Kosovës subvencionon faturat e rasteve sociale me 4.6 milionë euro në vit. /Telegrafi/
[arve url=”https://www.facebook.com/blerand.stavileci/videos/1025277104271795/”/]