Mungesa e kodit telefonik i ka shkaktuar Kosovës 220 milionë euro humbje.
“Një gjendje e tillë e bartë me vete edhe koston financiare. Vlerësohet se që nga pas lufta e deri më tani kosto e mungesës së kodit telefonik është rreth 220 milion euro”, ka thënë Kreshnik Gashi, kryetari i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, njëkohësisht edhe përfaqësues në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarë i grupit të ekspertëve.
Ai ka theksuar se kjo humbje ka të bëjë vetëm me koston direkte të mungesës së kodit telefonik.
“Pra këtu kemi të bëjmë vetëm me kostot direkte, të cilat iu atribuohen direkt mungesës së kodit telefonik”, ka thënë Gashi, duke shtuar se kjo ka krijuar që shumë operator të telefonisë mobile të Kosovës të arrijnë marrëveshje me operatorë të vendeve tjera, siç janë Monaco dhe Sllovenia, shkruan pcworld.al.
Ai ka treguar se kohëzgjatja e implementimit të kodit të ri telefonik do të zgjasë 18 muaj, pasi që është një proces i cili mund të marrë kohë deri sa operatorët të arrijnë marrëveshje me operatorët tjerë nga bota.
Ndër tjerash ai ka përmendur edhe përfitimet të cilat i sjell kodi i ri telefonik, duke shtuar që së pari Kosova krijon identitetin e vet shtetëror në fushën e telekomunikimit.
Ndërsa përfitimet ekonomike do të jenë të larta dhe operatorët nuk do të jenë të detyruara që të paguajnë kosto të larta financiare për përdorimin e kodeve të huaja, ka thënë Gashi./Insajderi.com