Plot 7.5 miliard euro peshon marrëveshja që Maqedonia e Veriut po nënshkruan me BE-në për programin e Evropës Digjitale. Por një gjë të tillë nuk e bëri edhe Kosova, e cila ka mbetur jashtë programit.
Me firmosjen e marrëveshjes që u bë të premten në Bruksel, Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të jetë pjesë e këtij programi, i cili financohet nga Bashkimi Evropian prej gati 7,5 miliard eurove.
Lënien e Kosovës jashtë këtij programi e ka konfirmuar Ministria e Ekonomisë.
“Sipas njoftimit të pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme për Rrjetet, Përmbajtjen dhe Teknologjinë e Komunikimeve, data e nënshkrimit të marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian është shtyrë”, ka thënë Ministria e Ekonomisë për RTV Dukagjinin.
Ky vendim vjen pak kohë pasi BE-ja paralajmëroi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mos ndërmarrjes së hapave për uljen e tensioneve në veri të vendit.
Pjesë e programit tashmë janë bërë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia.