
Kryetari i Gjykatës Themelorë në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, ka thënë se Kosova ka nevojë të madhe për ligjin anti-mafia, në kohën kur siç ka thënë ai, shkalla e korrupsionit në vend është bërë standard jetese.
Këto komente ai i bëri në një konferencë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ku u trajtua tema “Rritja e Efektivitetit të Luftës ndaj Pasurisë së Paligjshme në Kosovë”.
Në tryezë u fol edhe për nevojën e rritjes së numrit të konfiskimeve të pasurisë së paligjshme, që sipas Albana Rexhës nga GJSP mbetet në nivel të ulët.
Sipas saj rreth 4 për qind e pasurisë së paligjshme është konfiskuar nga autoritetet kompetente ose vetëm 1.2 milion euro i janë kthyer shtetit.
“Nga shuma e përgjithshme e pasurisë në menaxhimin e Agjencisë, 30,733,449,554 vetëm 1,193,266,19 apo rreth 4 për qind është konfiskuar në mënyrë permanente nga autoritetet kompetente”, pohoi ajo.
Shqipdon Fazliu, Kordinator Kombëtar i luftës kundër krimit ekonomik, është shprehur se për vitin 2014 – 2015 janë sekuestruar mbi 52 milionë euro pasuri e paligjshme. Por, edhe ai pranon se vendimet për konfiskim janë shumë të ulëta.
E sipas Louise Taylor, zv. Ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, korrupsioni ndikon në reputacionin e vendit dhe Qeveria britanike interesohet që Kosova të jetë një vend stabil sa i përket kësaj natyre.
”Korrupsioni vazhdon të jetë prioritet. Qeveria britanike është e interesuar që Kosova të jetë vend stabil, që tërheq investime që sundon rendin dhe ligjin dhe kjo ndikon direkt në Britani e në Evropë. Korrupsioni ndikon edhe në reputacionin e Kosovës sepse të bësh biznes të ligjshëm këtu është shumë e vështirë”, tha Taylor.
Megjithatë organizata Transparency Internacional, në bazë të një raporti për nivelin më të lartë të korrupsionit për vitin 2015, vazhdon të radhisë Kosovën në vendin e 103 nga 168 vende gjithsej më një rezultat prej 33 pikë./Insajderi.com