Në tregun e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë do të vijnë gjysmë milion mallra zvicerane, të cilat janë blerë nga një afarist shqiptar, pas falimentimit të një kompanise zvicerane të veshjeve, “Switcher”. Ato u blenë, pasi dolën në ankand të martën në qytetin e Lozanës, për 250,000 franga zvicerane.
“Këto janë rroba të një cilësie të mirë. Është pikëlluese se kompania ka falimentuar”, tha Hasan Berisha, drejtor i kompanisë RB që kryen eksporte dhe importe, shkruajnë mediet lokale zvicerane.
Në fakt, Berisha e kishte venë një limit më të vogël parash. Mirëpo, në fund ai i bleu të gjitha veshjet me çmimin e lartcekur.
“Çmimi ishte pak i lartë, pak më lirë do të ishte më mirë”, u shpreh Berisha. Ai ka mposhtur njërin nga konkurrentë kryesor në këtë ankand, biznesmenin Migor Geneva, përcjell gazetametro.
Berisha do t’i shesë këto mallra në Ballkan, e veçanërisht në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Ai vlerëson se tashmë ka blerës të interesuar.