Para Ministrisë së Shëndetësisë, me pankarta në duar, sot nisën protestën Infermierët dhe stafi mbështetës që ishin të angazhuar në shëndetësi për luftën ndaj COVID-19, shkruan Insajderi.
Si arsye e protestimit sot, ishte fakti se për 3 muaj të angazhuarit nuk morën asnjë pagë dhe sipas tyre kjo është papërgjegjësi institucionale.
Nënkryetari i Sindikatës së Infermierëve, Eklirat Duraku tha se kjo protestë nuk u organizua nga Sindikata, por, gjeti edhe mbështetjen e tyre.
“Sindikata e Infermierëve nuk e ka organizu protestën, ka qenë iniciativë e vet profesionisteve që s’kanë paga, sepse pritet të mbesin pa punë, sidoqoftë ne e kemi pa të arsyeshme, duke e ditë që ka mungesë të stafit shëndetësorë, cilësia s’mundet me qenë në nivel”, tha Duraku për Gazetën Insajderi.
Duraku tha se Sindikata ka kërkuar që këto paga të ekzekutohen, dhe duke e ditur nevojën për infermier, punëtorëve t’ju krijohen kontratat e rregullta, shkruan Gazeta Insajderi.
“Si Sindikatë kemi kërkuar që nga Ministra e Shëndetësisë, Komisioni Parlamentar edhe Kuvendi që fillimisht të ekzekutohen pagat pastaj të jepen modalitetet që kontratat të kthehen në kontrata të rregullta”, tha ai për Insajderin.
Ndërkaq në lidhje me qeveritarët, Duraku potencoi se nuk kishin zhvilluar ndonjë takim dhe i njejti tha se ministri i shëndetësisë interesin më të madh e ka të zhvendosur tek mjekët dhe jo infermierëve.
“Ne kemi dërguar kërkesa në formë fizike dhe elektronike mirëpo takime s’kemi pas me qeveritaret, po më duhet të tregohem arrogant por ministri Latifi po merret veç me mjekët, përgjigje s’kemi marrë për këto çështje. Ftojmë ministrin që me e trajtu seriozisht sepse së pari fitojnë qytetarët me shërbime cilësore”, tha ai.
Infermierët dhe stafi mbështetës që ishin të angazhuar në shëndetësi për luftën ndaj COVID-19 sot gjithashtu paralajmëruan ikjen nga vendi, shkruan Insajderi.
“Zoti Ministër na ktheni përgjigje deri në ora 16:00 se kemi kurs gjermanishtes në ora 17:00”, thuhet në një nga pankartat që kishin në dorë”, thuhej në njërën nga pankartat.
Të njëjtën pohoi edhe Duraku i cili tha se infermierët shumë kualitativ po ofertohen nga agjensione të ndryshme me paga të mira dhe kushte të tilla.
“Vetëm në tre mujorin e parë 114 infermiere kualitativ që i targeton Peja janë të rrezikuar me marrë oferta. Ne njohim mbi 30 agjensione që japin oferta joshëse me paga e kushte i marrin infermieret që të vazhdojnë shërbimet atje”, përfundoi ai.