
Karoline Jaoger-Klein, ligjëruese në universitetin e Vjenës, duke komentuar dështimin e anëtarësimit të Kosovës vitin e kaluar në UNESCO mendon se tek në vitin 2017, Kosova do të mund të anëtarësohet në këtë organizatë.
Këto komente ajo i bëri në konferencën e organizuar nga UBT-ja “Dita austriake-kosovare e integrimeve evropiane”, duke shtuar se Kosova duhet të këtë politikë kombëtare që liston trashëgiminë kulturore.
“Nëse ju emërtoni diçka në listën e trashëgimisë dhe ekspertiza evropiane interesohet për të, atëherë do të jetë më mirë. Dëshiroj që Kosova të jetë në UNESCO, mirëpo për këtë duhet më shumë punë. Mendoj se më 2017 Kosova do të anëtarësohet në këtë organizatë”.
Ndërkohë Erhard Busek, ish-zëvendëskancelar i Austrisë, duke u bazuar në gjendjen aktuale në Kosovës ka theksuar se pavarësisht diferencave dhe mospajtimeve të brendshme, bashkëpunimi në këtë drejtim nuk duhet të mungojë për të mirën e Kosovës.
“Duhet të keni bashkim, ashtu siç ishit të bashkuar për pavarësinë e Kosovës. Nuk duhet të mjaftoheni me historinë, me dhunën e Milosheviqit, por me zhvillimin. Ju duhet të promovoni vendin tuaj me turizëm, trashëgimi kulturore, të vetëmonitoroheni, të bëni më shumë punë, të bëni universitete cilësore për t’i përgatitur gjenerata me edukim, me hulumtime për integrime evropiane etj”, theksoi ai./Insajderi.com