Qeveria e Kosovës e kishte propaganduar si njërin ndër hapat më të rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kur në shtator të vitit të kaluar kishte nisur drejt Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dy kamion të mbushur me më se 100 tekste shkollore në gjuhen shqipe.
Por normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi ishte bllokuar në kufi, kur Dogana serbe nuk kishte lejuar futjen në Serbi, të teksteve shkollore në gjuhën shqipe të dedikuar për nxënësit shqiptar që jetojnë në Serbi.
Por 5 muaj pas, ministri i Arsimit dhe Qeveria e Kosovës, raporton Insjaderi, ka shkelur këtë masë të reciprocitetit duke lejuar futjen në Kosovë të një kontingjenti të librave dhe teksteve shkollore në gjuhën serbe.
Komuna e Mitrovicës se Veriut, ka pranuar këtë fillimit një kontingjent me libra dhe materiale tjera shkollore, si donacion nga ndërmarrja publike “Zavod za Udzbenike” nga Beogradi, që funksionon si shtëpi botuese e librave dhe teksteve shkollore, raporton Insjaderi.
Madje krejt ky proces i futjes së këtyre librave në Kosovë është bërë nëpërmjet rrugëve zyrtare.
Kërkesa për lejimin e librave është bërë së pari nga Adrijana Hoxhiq zyrtare kryesore ekzekutive në komunën e Mitrovicës së Veriut, që i është drejtuar MKRS-së, gjegjësisht sekretarit të përgjithshëm, Veton Firzit, raporton Insajderi.
E Qeveria e Kosovës,raporton Insajderi i ka dhënë dritën e gjelbër futjes së këtyre librave në Kosovë pa e ditur saktësisht llojin e tyre.
Dy ministritë në Qeverinë e Kosovës japin versione të ndryshme lidhur me këto libra.
Në Ministrinë e Kulturës thonë se nuk janë të informuar që këto libra janë tekste shkollore.
“Kërkesa ka pasur të bëjë me një donacion që i dedikohet bibliotekave komunale, mirëpo në nuk kemi qenë e as jemi në dijeni nëse në këtë kontingjent ka pasur libra për shkolla fillore ose të mesme për nxënësit serb në Mitrovicë të Veriut’’, ka thënë Veton Firzi, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës.
Por tjetër version japin në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës. Madje ata thonë se Ministria e Kulturës ka qenë në dijeni edhe për shkollat se për ku kanë qenë të dedikuara këto libra.
“Sipas konfirmimit të MKRS, këto libra dhe materiale janë të dedikuara për shkollat fillore ‘Branko Radicevic’, Shkollën e Mjekësisë dhe institucionin parashkollor, të cilat kanë arritur përmes pikës kufitare në Jarinje’’, thotë Faton Fetahu, asistent personal i Ministrit të Arsimit për Insajderi.
Sipas Fetahut, “MASHT-i nuk mban asnjë përgjegjësi për këtë rast, meqenëse gjitha veprimet rreth këtij rasti janë ndërmarrë pa ndonjë konsultim me këtë institucion”.
Në Ministrinë e Arsimit thonë të mos e kenë as listën e librave dhe teksteve shkollore në gjuhën serbe që janë futur në Kosovë.
“Prandaj nuk mund të konfirmojmë nëse ato janë të dedikuara për biblioteka’’, ka thënë Fetahu.
Gazeta ka tentuar të marrë edhe një qëndrim të kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Preshevë, Jonuz Musliu, por ai nuk ka qenë i qasshëm.
Ai vetëm e quajti “të pakuptimtë faktin që ende në shekullin 21 të mos lejohen librat shqip për nxënësit shqiptar në luginë’’, por nuk e tha asnjë fjalë për lejimin e futjes së librave në gjuhën serbe në Kosovë.
Insjaderi ka siguruar edhe listën e librave të futur nga Serbia në Kosovë.
Musliu kishte mbetur pa fjalë edhe në nëntor të vitit 2015, kur i kishte bërë pyetje kryeministrit serb, Aleksander Vuçiq se kur e ka ndërmend Qeveria e tij të lejoj futjen e librave shqip në Serbi.
Vuçiq i ishte përgjigjur me ironi kësaj pyetje duke thënë se kjo kërkesë e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc është e pakuptimtë për shtetin serb.
“Nuk është mirë për fëmijët që të mësojnë në librat ku shkruan se heroi i tyre kombëtar është ‘Adem Jashari’ dhe ku është e shënuar ‘Republika e Kosovës’. Ajo çfarë po kërkoni ju nuk është e drejtë dhe se tekstet nuk maten me kilogramë apo kamionë, por nga cilësia dhe përmbajtja e tyre”, kishte thënë Vuçiq duke iu drejtuar Musliut i cili nuk kishte replikuar me kryeministrin serb.
Shteti serb ka lejuar deri më tani vetëm futjen e librave shqip që vijnë nga Shqipëria, ndërsa ndalimin e librave shqip nga Kosova e ka bërë me arsyetimin se “nuk dihet përmbajtja e tyre”.