Kosova nuk do të marrë pjesë as këtë vit në festivalin më të madh të muzikës evropiane “Eurovision”, por pavarësisht kësaj Radio Televizioni i Kosovës edhe këtë vit ka paguar për transmetimin e kësaj ngjarje.
RTK-ja ka bërë publike njoftimin për dhënien e kontratës për transmetimit e kësaj gare në RTK 1.
Radio televizioni i Kosovës për transmetimin e kësaj ngjarje do të paguaj shumën prej 2 mijë e 350 euro, ndërkaq nënshkrimi i kësaj kontrate pritët të ndodh me 24 prill të këtij vitit.
“Ne kuadër te programeve argëtuese, RTK ka vendosur qe te pranohet oferta nga ana e EBU , për te drejtat e transmetimit te drejtpërdrejt te këngës se ‘Eurovisionit 2017’, për nevojat programore te RTK-1-TV”, thuhet në njoftimin e dhënies së kësaj kontrate.
Kosova vazhdon të mos marrë pjesë në “Eurovision” për shkak se siç thuhet zyrtarët e EBU-së nuk është anëtare e Unionit të transmetuesve të Evropës ose anëtare e Këshillit të Evropës.
“Kosova nuk mund të marrë ende pjesë në ‘Eurovision’ ngase nuk është anëtare e EBU-së. Statusi i EBU-së thotë se një anëtar i ri duhet të vijë nga një shtet që është pjesë e ‘Unionit të Telekomunikimit Internacional’, ose duhet të jetë anëtar i Këshillit të Evropës. Kosova nuk është në asnjërën”, thuhet në përgjigjen e EBU-së dhënë për “Telegrafin” ditë më parë.
“Eurovisioni” fillon me 9 maj dhe përfundon me natën finale me 13 maj./Insajderi.com