
Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, është zgjedhur anëtare e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Paralimpik Evropian (EPC) për mandatin 2025–2029.
Zgjedhja e saj erdhi pas një gare të fortë mes shteteve anëtare të EPC-së, ndërsa votimi u mbajt më 30 gusht në Londër, gjatë Asamblesë së Përgjithshme ku morën pjesë 45 shtete nga i gjithë kontinenti.
Emini doli më e votuara mes të gjithë kandidatëve, duke shënuar një sukses të jashtëzakonshëm diplomatik dhe duke lënë pas përfaqësues nga vende si Britania e Madhe, Serbia, Izraeli e të tjera. Në të njëjtën mbledhje, president i EPC-së u rizgjodh holandezi Raymon Blondel, i cili këtë prill kishte vizituar Kosovën me ftesë të presidentes Emini.
“Teksa bëhen dy vite nga pranimi i Kosovës në Komitetin Paralimpik Evropian, ne jemi tashmë edhe pjesë e organit më të lartë ekzekutiv të kësaj instance. Për mua është ndjenjë e jashtëzakonshme që të marr besimin e homologëve të mi dhe të dal si më e votuara në këtë konkurrencë,” u shpreh Emini, duke theksuar se parasporti kosovar tashmë do të ketë më shumë zë dhe hapësirë për zhvillim.
Ky është një moment historik për Kosovën, pasi për herë të parë vendi përfaqësohet në strukturën më të lartë drejtuese të parasportit evropian.