Kosova është pranuar në organizatën botërore të arkitekturës moderne DoCoMoMo International.
DoCoMoMo International (Documentation and Conservation of Modern Movement/Dokumentimi dhe Konservimi i Modernizmit) është organizata më e madhe në botë që merret me mbrojtjen, promovimin dhe konservimin e lëvizjes moderne, shkruan KultPlus.
DoCoMoMo e cila ka mbi 140 anëtarë anembanë botës, zyrtarisht pranoi degën e Kosovës në kongresin e saj që u mbajt në shtator në Lisbonë.
“Krijimi i DoCoMoMo’s në Kosovë dhe pranimi i saj në DoCoMoMo International do të thotë shumë për mbrojtjen e arkitekturës moderne në Kosovë e cila deri tash se voni në përgjithësi është neglizhuar nga institucionet dhe publiku”, thotë Bekim Ramku, udhëheqësi i DoCoMoMo Kosova.
Nismëtarët e degës së DoCoMoMo’s në Kosovë para disa muajve përfituan grandin prestigjioz nga Getty Foundation “Keeping it Modern” për draftimin e planit konservues për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, objekt ky i cili edhe përfaqëson më së miri arkitekturën moderne në Kosovë./Insajderi.com