Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se Kosova do t’i dërgojë mjete ushtarake Ukrainës në luftën kundër agresionit rus.
Ai këtë e ka bërë të ditur më herët, teksa e ritheksoi në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve ‘Aanadolu Agency’, përcjell Gazeta Insajderi.
Maqedonci ka thënë se Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i japë dy pako ushtarake për Ukrainën.
“Qeveria e Kosovës ka vendosur të ofrojë dy pako mbështetëse për Ukrainën. Pakoja e parë do të dërgohet këtë javë për në Ukrainë dhe përbëhet nga kamionë, automjete taktike dhe autoblinda ushtarake. Kurse pakoja e dytë që përbëhet nga predha mortajash 120, 81 dhe 60-milimetërshe, pritet të dërgohet së shpejti”, deklaroi Maqedonci.
Kjo është hera e parë që Kosova po dërgon mjete ushtarake në Ukrainë. /Insajderi.org/