×
Aktuale

“Kosova rrezikon t’i humbë 300 milionë euro në Arbitrazh” – kërkohet llogari për këtë deklaratë të ministrit të Drejtësisë

Insajderi
30 October 2020 - 14:00
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Xheneta Uka

300 milionë euro shteti i Kosovës rrezikon t’i humbë në rastet që po trajtohen në Gjykatën e Arbitrazhit. Njoftimin e dha dy ditë më parë ministri i Drejtësisë, Selim Selimi. Kosova deri më tani ka pesë rastë në këtë gjykatë.

Nga të gjitha këto lëndë Kosova do të përballet në arbitrazh edhe me “Iute Credit”. Institucioni ky i cili në shkurt të këtij viti e ka dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Ani pse kjo lëndë është vetëm në fillimet e procesit, ministri i Drejtësisë ka angazhuar kompani të huaja për mbrojtje të shtetit,

“Kjo çështja Iute Credit është në fazën fillestare. Ne jemi në proces me Qeverinë e Kosovës që të hapim një mundësi që avokatët dhe një kompani e huaj premium të jetë në një proces transparent ta mbrojë shtetin atje. Është rrezik për shkak se ligji për investime të huaja direkte e ka një normë që e lë të gjerë hapësirën që të shkojë në arbitrazh” tha Selimi në një konferencë për media, shkruan Gazeta Insajderi.


Mirëpo, sipas avokatit të “Iute Credit”, kjo padi mund të kap vlerë deri në 12 milionë euro.

Bordi ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), më 6 dhjetor 2019 kishte marrë vendim për mbylljen e institucionit mikrofinanciar “Iute Credit”, me arsyetimin se kanë shkelur ligjin dhe përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.


Hulumtim i Insajderit, kishte gjetur se si veprojnë këto kompani të lidhura me Rusinë, Qipron dhe aferën e Panamasë.


Gazeta kishte zbuluar se “IuteCredit” në Kosovë ka pranuar para nga “SËEDSKE BANK”. Kjo bankë është akuzuar dhe është në procese hetimi pikërisht për lejimin e apo krijimin e kushteve për të vepruar bizneset të cilat janë të ndërlidhura me oligarkë dhe struktura shtetërore ruse që kanë tendenca të ndryshme destabilizimi në rajon. Këtë tendencë dyshohet se e ka pasur “IuteCredit Europe”, “IuteCredit Kosovo” dhe biznese të tjera që ndërlidhen me pronarët e tyre.


Gërxhaliu: Ministri Selim duhet të japë llogari për një deklaratë të tillë

Eksperti për çështje ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, duhet të jap llogari për një deklaratë të tillë.

Në një prononcim për Gazetën Insajderin, Gërxhaliu, ka shtuar se një paralajmërim i tillë lë hapësirë për të dyshuar, në kohën kur nuk ka vendime finale nga Gjykata e Arbitrazhit.

“Të kesh guximin të paralajmërosh para se të vijnë vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit se ato do të jenë negative dhe Kosova do të gjobitet lënë hapësirë për të dyshuar, kësaj duhet t’i vijë fundi dhe drejtësia ta thotë fjalën e vet”, ka thënë Gërxhaliu.

“Në qoftë se vërtetë deputetët e Parlamentit të Kosovës mendojnë për shtet dhe punojnë për shtet duhet të kërkojnë llogaridhënie dhe argumente për një deklaratë të tillë se si ai po e dika që proceset kanë me u humbë”, ka thënë tutje Gërxhaliu për Insajderin.

Sipas tij është shqetësuese se si paraprakisht po dihen vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit, duke thënë se nga këto vendime më shumë po përfitojnë akterët politikë sesa vet ata që e ngrisin paditë.

“Kjo ka qenë shumë shqetësuese nga vetë fakti që si duket paraprakisht po dihen vendimet e këtyre gjykatave dhe këto vendime po e dëmtojnë Kosovën në shumë fusha, jo vetëm në ekonomi, në fushën sociale, integrues, por edhe po e dëmtojnë imazhin e Kosovës”, tha Gërxhaliu.

“Në rendë të dytë kam droj se mjete e fituara nga ata që ngrisin paditë ose kërkojnë vendim të Arbitrazhit shumë më tepër po përfitojnë qarqet politike ne Kosovë që po e përgatisin infrastrukturën ligjore me u adresu deri në Gjykatën e Arbitrazhit, sesa vetë ata që e ngrisin paditën”, ka thënë Gërxhaliu për Insajderi.

Ai e ka ftuar edhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës që të involvohet në këto procese pasi është e çuditshme, për atë se secili dëm ekonomik po adresohet drejtpërdrejtë në Gjyakëtën e Arbitrazhit.

“Këto procese po ndodhin në kohë pandemie kur si duket qarqe të caktuar dëshirojë që ta rrënojnë tërësisht ekonominë”, ka shtuar me tej Gërxhaliu. /GazetaInsajderi/

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark