
Edhe shteti i Kosovës ka filluar ti shtojë masat e sigurisë pas sulmeve terroriste në Bruksel ku u vranë mbi 30 persona.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë janë duke bërë vlerësime të vazhdueshme lidhur me nivelin e kërcënimit nga secili aktivitet kriminal apo edhe ndaj çdo kërcënimi të mundshëm terrorist.
Sipas tij në vend tashmë janë shtuar masat e sigurisë.
“Duke iu referuar situatës së fundit Policia e Kosovës ka ndërmarr masa shtesë me qëllim të ofrimit të sigurisë për qytetarët dhe parandalimit të incidenteve të mundshme në gjithë vendin”, ka thënë për klankosovën Kelani.
“Me qëllim të parandalimit të sjelljeve të të dyshuarve që kryejnë ndonjë vepër të tillë penale Policia e Kosovës, është duke monitoruar çdo lëvizje edhe pse deri më tani Kosova, nuk ka ndonjë indikacion apo informacion konkret për ndonjë sulm të mundshëm terrorist në vend“, tha Kelani.
Ndërkohë edhe autoritetet në Shqipëri kanë shtuar masat e sigurisë në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, “Nënë Tereza”.
Pranë Rinasit janë vendosur edhe Forcat e posaçme të Ndërhyrjes së Shpejtë, për të shmangur çdo incident./Insajderi.com