Kosova si shembull i mirë për Shqipërinë - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Kosova si shembull i mirë për Shqipërinë

    Insajderi
    17 February 2021 - 09:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nga Piro Ahmetaj

    Së pari, data 14 Shkurt 2021, ndoshta për koincidencë edhe Dita e Dashurisë do të shenjtërohet në memorien e sukseseve në përpjekjet për të ndërtuar mekanizmat e shtetit modern dhe besimin te demokracia funksionale në Kosovë.

    Urime të përzemërta vëllezër kosovarë, na keni bëre krenar’, pasi me standardet dhe rezultatet në kohë reale, ia dolët të zhvilloni zgjedhje dinjitoze si në të gjitha vendet demokratike!

    Sigurisht, ka pasur konsiderata të larta dhe kundërshti të forta rreth vizionit, përqasjes dhe konsistencës në udhëtimin drejt pushtetit të Albin Kurtit.

    Ka patur po ashtu pikëpyetje racionale mbi populizmin, por edhe zhgënjime të arsyeshme për aftësitë qeverisëse te rij si në 2020 dhe jo vetëm.

    Dje, sovrani foli fortë, demokracia fitoi, projekti i Albinit dhe të gjithë janë të fituar.

    Kështu, ndërsa lutem për perspektivën demokratike të Kosovës, uroj dhe besoj se Albini dhe Vjosa kanë nxjerrë mësimet e duhura nga problematikat e ushtrimit të pushtetit dhe nuk do t’i zhgënjejnë edhe njëherë tjetër shpresat e bashkëqytetarëve.

    Së dyti, fatkeqësisht, Shqipëria mbetet i vetmi vend edhe në rajon që ka “dështuar me sukses”, për të realizuar zgjedhje demokratike si gjithë Evropa (të mirënumëruara dhe gjithëpranuara)!

    Nuk ka triumfatorë as lavdi donkishotësh. Të gjithë jemi fajtore, pasi të drejtën sovrane të votës, e kemi “shitur për një thes miell ose lejuar të na i vjedhin”, dhe ja kemi nxirë faqen Shqipërisë.

    Shqipëria është në udhëkryq, të gjithë jemi të humbur, pasi besimi te vota e lirë dhe shteti i së drejtës kanë rënë, shpresat te demokracia funksionale dhe harmonia e pushteteve janë vrarë.

    Gjithsesi, shpresoj shumë, që zgjedhjet në Kosove të na shërbejnë si model edhe Ne/shqiptarëve, dhe me referendumin e 25 prillit të kthejmë besimin se vetëm me fuqinë e votës se lirë do të mundemi te ri-kthejmë vendin në shinat e demokracisë funksionale si gjithë Evropa.

    Nuk do shpikim rrotën, s’ka nevojë fare as për udhëheqës të lavdishëm, as për dëshmorë, as për “marrëveshje bërthamore”, as për negociatorë Euroatlantik, as për dreka te krokodili e gjetkë, as për kamikazë dhe as për matrapazë të pushteteve. Asnjerën nga këto dhe as të gjitha së bashku.

    Në të kundërt, është fare e thjeshtë, do duhet vetëm që shqiptarët të marrin pjesë në referendumin e 25 prillit dhe me fuqinë e votës se lirë të realizojnë zgjedhje demokratike si në Kosovë dhe mbarë Europën, si dhe të marrin fuqinë e kontrollit të pushtetit në duar e tyre. Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark