Federata e Futbollit të Rumanisë njoftoi se do të bëjë ankesë kundër dënimit të vendosur nga UEFA pas ndeshjes me Kombëtaren e Kosovës.
“Federata e Futbollit të Rumanisë njofton se do të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv kundër vendimit të marrë nga UEFA pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen e Rumanisë dhe Kosovës, e luajtur më 15 nëntor 2024 në Bukuresht. Ndeshja nuk përfundoi në fushë, pasi skuadra vizitore refuzoi të rifillonte lojën me më pak se dy minuta të mbetura në fund. Arbitri është dashur t’i bie bilbilit për përfundimin e ndeshjes pasi ka pritur më shumë se një orë, gjatë së cilës në fushë ka mbetur vetëm skuadra rumune”, shkruhet në faqen e Federatës së Futbollit të Rumanisë, përcjell Insajderi.
Federata e Futbollit të Rumanisë u gjobit me 50 mijë euro dhe një ndeshje pa praninë e publikut për sjellje raciste apo diskriminuese të tifozëve, duke vënë në dukje parullat provokuese politike, hedhjen e objekteve në fushë dhe ndezjen e pishtarëve. Gjithashtu, federata është gjobitur për shkak se tifozët përdorën laser, bllokuar kalimet dhe u sollën në mënyrë të pahijshme gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare.
Federata e Futbollit të Rumanisë thotë se sanksionet e vendosura nga UEFA janë të pajustifikuara dhe tërheqin vëmendjen për mungesën e masave FFK’së.
“Kosova ka shkelur parimin më të rëndësishëm në futboll, që është që loja të luhet në fushë. Megjithatë, ekipi i Kosovës nuk u sanksionua. Në vend të kësaj morëm disa gjoba dhe sanksione që i konsiderojmë shumë të larta”, deklaroi presidenti i Federatës së Futbollit rumun, Razvan Burlenau. /Insajderi.org/