Kosovarët dyfishojnë rezervimet për pushime në Shqipëri (VIDEO) - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kosovarët dyfishojnë rezervimet për pushime në Shqipëri (VIDEO)

    Insajderi
    13 May 2022 - 08:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Saranda tashmë është një nga destinacionet më të pëlqyera të qytetarëve kosovarë në rivierën shqiptare, sidomos nga rinia.

    E pikërisht Saranda me drejtuesit e saj lokalë e me përfaqësues biznesesh prezantuan ofertën turistike për këtë sezon në Prishtinë.

    Kryetari i këtij qyteti, Adrian Gurma, duke i falënderuar pushuesit kosovarë që e mbajtën gjallë turizmin e Sarandës edhe në kohë COVID-i, i ftoi ata të pushojnë në Sarandë.

    “Në momentet më të vështira që Saranda dhe gjithë turizmi shqiptar kaloi në pandemi ishin ata që i dhanë frymëmarrje këtij turizmi”, tha Gurma.

    Ai tregoi se qyteti është gati për të mirëpritur sezonin e ri turistik.

    “Është shumë i rëndësishëm angazhimi maksimal i bizneseve dhe strukturave të pushtetit lokal, në mënyrë që oferta turistike të jetë e përmirësuar kryesisht në cilësi, por edhe e zgjatur në kohë”, u shpreh kryebashkiaku i Sarandës.

    Drejtuesit e institucioneve të rëndësishme në Kosovë, kërkuan nga qytetarët e Sarandës që të shkëmbejnë eksperiencat duke vizituar Kosovën.

    Se Saranda po bëhet atraktive për pushuesit nga Kosova e tha edhe kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, Ruzhdi Kurtishja, njëkohësisht pronar i një agjencie turistike.

    “Saranda është një prej destinacioneve më të kërkuara, sidomos nga rinia. Kërkesat janë të mëdha dhe pritet një rritje me 20-30 % e kërkesës së shqiptarëve të Kosovës për të kaluar pushimet në Sarandë”, tregon Kurtishja.

    Përveç pushuesve sezonalë, Saranda është bërë edhe shtëpia e dytë për shumë kosovarë të cilët kanë vendosur të blejnë prona për të jetuar buzë detit.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark