Kosovarët e boshnjakët ende me regjim strikt të vizave, shkak “Republika Srpska” – Osmani i uron pavarësinë Bosnjes – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kosovarët e boshnjakët ende me regjim strikt të vizave, shkak “Republika Srpska” – Osmani i uron pavarësinë Bosnjes

    Insajderi
    01 March 2023 - 15:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bosnje-Hercegovina mirëmban regjim më të rreptë udhëtimi për shtetasit kosovarët se sa vetë Serbia. Kjo për shkak të entitetin serb “Republika Srpska” të cilët mbeten kategorik kundër çfarëdo forme prezence të shtetit të Kosovës atje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Megjithatë në kuadër të Procesit të Berlinit u duk sikur kjo situatë do të relaksohej me t’u miratuar një sërë marrëveshjes për udhëtim të lirë e pa regjime vizash për të gjithë Ballkanit Perëndimor.

    Janë vetëm qytetarët e Kosovës dhe Bosnje-Hercegovina që s’gëzojnë këtë të drejtë themelore çfarë është udhëtimi i lirë.

    Njëra nga marrëveshjet e arritura në nëntor të vitit të kaluar përcaktonte se të gjithë qytetarëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’u mjaftonin vetëm letërnjoftimet për të kaluar kufijtë e ndërsjellë.

    Bosnje-Hercegovina ndonëse në Berlin e nënshkroi, në vend të saj s’e miratoi edhe pse supozohej ta kalonte si marrëveshje në Këshillin e Ministrave, e për ta pasuar më pastaj në Parlament.

    Disa qytetarë të Kosovës asokohe e kishin marrë si të mirëqenë pranimin e kësaj marrëveshje, por u ishte dashur të mbërrinin në kufi vetëm për t’u zhgënjyer.

    Ndërkaq vetëm ditëve të fundit ishte Presidenti ultranacionalist i “Republika SRpska”-s, Milorad Dodik, ai që njoftoi që assesi nuk bëhet fjalë që ata, me të drejtën e tyre të vetos në vendimarrjen e organeve më të larta të shtetit dy-entitar të Bosnjes, nuk do ta lejojnë kalimin e kësaj marrëveshje.

    “Ne e kemi refuzuar, nuk do të lejojmë të lëvizet asgjë në këtë drejtim”, tha Dodik sërish dje gjatë një vizite të tij në Beograd, ku paraprakisht u takua me Presidentin e Sebisë, Aleksandar Vuçiq.

    Policia Kufitare e Bosnje-Hercegovinës kishte dalur me një deklaratë ku mohoi se shtetas të Kosovës mund të hyjnë në BeH pa u pajisur fillimisht me vizë udhëtimi.

    “Sipas vendimit për viza, i cili përcakton se qytetarët që kanë dokumente udhëtimi me shënimin “Republika e Kosovës”, janë të obliguar që fillimisht të pajisen me vizë për Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila nuk është e shënuar në dokumentin e udhëtimit por lëshohet në një të veçantë”.

    “Forma dhe sipas procedurës së veçantë, duke marrë parasysh sa më sipër, ju njoftojmë se qytetarët nga territori i Kosovës nuk mund të përdorin letërnjoftime gjatë kalimit të kufirit shtetëror të Bosnje-Hercegovinës”, pati thënë Franka Vican Boshkoviq, zëdhënëse e Policisë Kufitare në Bosnjë dhe Hercegovinë.

    Ndërkaq, entiteti i Federatës së Bosnje-Hercegovinës, përkatësisht boshnjakët dhe kroatët si dy prej tre popujve konstituentë, kultivojnë kaherë marrëdhënie të mira me Kosovën.

    Sot presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në Tëitter ka uruar Ditën e Pavarësisë së Bosnje e Hercegovinës.

    “Dy vendet tona sovrane dhe të pavarura ndajnë jo vetëm lidhje të forta mes njerëzve, por edhe një vendosmëri të palëkundur për një të ardhme më të ndritshme euroatlantike”, ka shkruar Osmani.

    Ndërkohë, 23 shkurt të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

    Në këtë marrëveshje parashihet edhe njohja reciproke e diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark