Kosovarët mund të bëhen me sigurime shëndetësore “muajt e ardhshëm” - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosovarët mund të bëhen me sigurime shëndetësore “muajt e ardhshëm”

    Insajderi
    20 April 2016 - 09:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Implementimi i ligjit për sigurimet shëndetësore – që nënkupton themelimin e një fondi publik për sigurime shëndetësore – ishte premtuar nga Qeveria e Kosovës të filloj qysh në vitin 2015.

    Por, deri më tani janë kryer vetëm përgatitjet teknike lidhur me këtë fond, ndërsa Ministria e Shëndetësisë thotë se Kosova mund të bëhet me skemë për sigurime shëndetësore në muajt e ardhshëm pa dhënë ndonjë afat të sakt.

    Këtë e ka bërë të ditur Faik Hoti, drejtor për Informimin në Ministrinë e Shëndetësisë, sipas të cilit përgatitjet teknike po bëhen në mënyrë që krijimi i fondit të sigurimeve shëndetësore të jetë i sigurt dhe i qëndrueshëm.

    Sipas tij, gjatë muajve të ardhshëm ekziston mundësia që Kosova t’u bashkohet vendeve që kanë skemë të sigurimeve shëndetësore publike.

    “Janë kryer një varg i përgatitjeve  teknike edhe me ministritë dhe agjensione të tjera dhe gjasat janë që Kosova t’u bashkohet në muajt e ardhshëm vendeve që kanë skemë të sigurimeve shëndetësore publike. Por, jo pa u siguruar që ato do të jenë të qëndrueshme dhe që garantojnë vazhdimësinë”, ka thënë Hoti për Insajderin.

    Ai njoftoi se deri më tani është krijuar Agjencioni i Financimit të Shëndetësisë, që sipas Hotit, është “paraardhës i fondit të sigurimeve” në të cilin do të bëhet mbledhja e kontributeve e kontributeve apo premiumeve shëndetësore publike.

    Buxheti për sigurimet shëndetësore pretendohet se do të jetë miliona euro, në të cilën përfshihen kontributet nga sektori publik, privat dhe nga kontributi i qytetarëve të cilët paguajnë nga rreth 2 euro për çdo anëtar të familjes.

    Shoqata për të Drejtat e Pacientëve “Prak” në Kosovë, ka thënë se e mirëpret fondin për sigurime shëndetësore sepse sipas tyre, institucionet shëndetësore tani për tani janë vetë blerës e vetë ofrues të shërbimeve, gjë e cila krijon mundësi për manipulime.

    “Sigurimi shëndetësorë i planifikuar në Kosovë, e ndan blerësin nga ofruesi i shërbimeve shëndetësore, gjë që do të thotë e ndërron edhe mënyrën e pagesës”, ka thënë shoqata Prak për Insjderin.

    Ligji për Sigurime Shëndetësore, është miratuar më 2014 dhe sipas nenit 2, “ky ligj rregullon themelimin, organizimin, funksionimin, dhe financimin e sistemit publik të sigurimeve shëndetësore; si dhe të drejtat dhe obligimet e palëve të përfshira”.

    Ndërkohë qëllim i këtij ligji është sigurimi i qasjes universale të qytetarëve dhe banorëve të Republikës së Kosovës ndaj shërbimeve kualitative të kujdesit themelore shëndetësore.

    Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë zbatimi i këtij ligji synon përmirësimin e indikatorëve shëndetësor dhe sigurimit të mbrojtjes financiare nga varfërimi për shkak të shpenzimeve të mëdha për kujdesin shëndetësor./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark