"Kosovari paguan 15% të pagës për rrymë – trefish më shumë se zviceranët dhe gjermanët", thotë ekonomisti i njohur kosovar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Kosovari paguan 15% të pagës për rrymë – trefish më shumë se zviceranët dhe gjermanët”, thotë ekonomisti i njohur kosovar

    Insajderi
    20 March 2025 - 19:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ekonomisti i njohur, Safet Gërxhaliu, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me kërkesën e operatorëve të energjisë elektrike në Kosovë për rritje të tarifave deri në 35%, duke e cilësuar këtë si një goditje serioze për ekonominë dhe standardin e jetesës së qytetarëve, shkruan Insajderi.

    Sipas Gërxhaliut, operatorët si KEDS, KESCO dhe KOSTT kanë adresuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji kërkesa për rritje të buxheteve të tyre për vitin 2025, duke e çuar totalin në 545 milionë euro, një rritje prej 145 milionë euro krahasuar me vitin 2024.

    Ai thekson se një rritje e tillë do të ndikojë negativisht në aspektin ekonomik dhe social, duke rënduar sektorin privat dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

    “Është një çmenduri e kohës, që të tentosh të rrisësh çmimin e energjisë elektrike në një kohë kur pasojat e inflacionit e kanë dërrmuar aspektin sociale në Kosovës, është mjaft shqetësuese. E dyta rritja nuk është 15%, por është afër 130%, në vitin 2021 kemi pasë një rritje prej 100%, në vitin 2023 kemi pasë rritje 15%, dhe kjo rritje eventuale do të kemi një rritje të çmimit të energjisë elektrike në 130%”, tha ai në Klan Kosova.

    Sipas Gërxhaliut, pjesa e të ardhurave që qytetarët kosovarë shpenzojnë për energji elektrike është dukshëm më e lartë në krahasim me vendet e zhvilluara evropiane.

    “Dua të kthehem tek një krahasim që kemi bërë paga minimale në Zvicër është 6 mijë e 800 franga, paga mesatare në Gjermani është 3 mijë e 570 euro, në Austri paga mesatare është 3 mijë e 700 euro. Zvicerani për energji elektrike paguan 2.7% nga paga, austriaku paguan 4.5% dhe gjermani paguan 5.8%, ndërsa kosovari paguan nga paga minimale 15% që është 540 euro, kur krejt kësaj i shtohet krahasuar me vitin 2020, ku 40 deri në 45 për qind i ke shfrytëzuar për ushqim dhe nevoja elementare, sot kosovarit i shkojnë 60%, dhe lind pyetja se a po jetohet në Kosovë dhe si po jetohet”, tha ai.

    Gërxhaliu gjithashtu kritikon mungesën e transparencës dhe debatin e kufizuar publik mbi këtë çështje, duke paralajmëruar se tarifat e reja mund të miratohen pa diskutim të gjerë.

    Ekonomisti apelon për një analizë të kujdesshme të kësaj rritjeje të propozuar, duke marrë parasysh ndikimin e saj në jetën e përditshme të qytetarëve dhe konkurrueshmërinë e produkteve “Made in Kosova” në tregjet rajonale dhe evropiane.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark