Në 24 orët e fundit në tre qytete janë raportuar raste të dhunës në familje, shkruan Insajderi.
Një burrë është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht gjyshin e tij për shkak të një mosmarrëveshje.
Mësohet se nipi goditi gjyshin me kokë në fytyrë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Gjilan, siç njofton Policia e Kosovës.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti për shkak të një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar-gjyshin e tij, duke u goditur me kokë në fytyrë. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal në Gjilan, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.”, thuhet në raportin e policisë.
Rasti tjetër i raportuar ka qenë në qytetin e Prizrenit ku një burrë ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Viktimës sipas raportit të policisë i është ofruar tretman mjekësor.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare. Viktimës iu është ofruar trajtim mjekësor. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të të cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.
Kurse në Mitrovicë përpos dhunës fizike ndaj një gruaje është raportuar edhe për dhunë psiqike.
I dyshuari ishte në gjendje të dehur teksa sulmoi bashkëshorten e tij, kjo e fundit nuk kishte nevojë për tretman mjeksorë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti në gjendje të dehur, dyshohet se ka sulmuar fizikisht dhe psiqikisht viktimën femër kosovare -bashkëshorten e tij. Viktima nuk ka pasur nevojë për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.