
Në mars të vitit 2020, u raportua se Kosovës iu ishin “zhdukur” rreth 2519 tonë grurë, ndërsa për këtë rast kanë folur nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, të cilët e kanë konfirmuar se sasia e këtij gruri i është kthyer institucioneve përgjegjëse, pra rezerva shtetërore. Ndërsa përfaqësues të Shoqatës së Mullistëve, kanë siguruar se Kosova për këtë vit nuk do të ketë krizë për grurë, shkruan Gazeta Metro.
Gazeta Metro ka mësuar zyrtarisht nga Ministria Tregtisë dhe Industrisë 2 mijë e 519 tonë grurë nga rezervat shtetërore që ishin ‘avulluar’ dy vite më parë tashmë janë kthyer në departamentin përgjegjës për rezervat shtetërore, dhe kthimi i kësaj sasie ishte bërë nëpërmjet organeve shtetërore të drejtësisë.
“Nëpërmjet Organeve të Drejtësisë, e kemi kthyer/reimbursuar grurin e rezervës shtetërore në stoqet e DRSHM-së”, thuhet në përgjigjen e MINT për Gazetën Metro.
Në mars të vitit 2020 Kosova po përballej me fillimin e pandemisë Covid19, dhe “zhdukja” e këtyre rezervave ishte një lajm i keq atëherë, dhe vetëm shtonte pasigurinë.
Kosova vazhdimisht importon grurë nga vendet e rajonit dhe më gjerë, pasi që nuk i plotëson nevojat e veta për këtë produkt.
Përderisa ekspertët thonë se ka indikacione për pasiguri ushqimore, përfaqësues të Shoqatës së Mullistëve, kanë siguruar se Kosova për këtë vit nuk do të ketë krizë për grurë.
Bujqit e Kosovës po arrijnë të sigurojnë gjysmën e sasisë së grurit që nevojitet dhe detyrimisht vendi ynë mbetet i varur nga importi.
Kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Bashkim Zejnullahu ka thënë, se grurë për mullisë ka të mjaftueshëm deri në në korrik dhe pastaj vjen sezoni i të korrurave për grurë.
“Grurë për mullisë ka të mjaftueshëm deri në sezonin e ardhshëm, deri në korrik… Pastaj vjen sezoni i të korrurave për grurë. Në këtë vit nëse ka rendiment të mirë, ka të mbjelle pak më shumë se në vitin e kaluar dhe mund të kemi 50-60 përqind plotësim të nevojave për treg… Kanë filluar edhe importet e grurit prej Serbisë nga dita e martë, më 4 maj… Është më i lirë çmimi i grurit nga Serbia se sa që ka qenë prej tregut bullgarë… Tregu kryesor për import të grurit mbetet Serbia…Edhe nëse nuk kishte me u importuar më asnjë kilogram grurë, deri në Vit të Ri ka grurë në Kosovë”, thotë ai për KosovaPress.
Invazioni ushtarak rus në Ukrainë ka thelluar ndikimet e saj në tregjet ndërkombëtare dhe një krizë e tillë ka goditur edhe ekonominë e Kosovës duke sjellë shtrenjtim për të gjitha produktet.