Në kohën sa me vendin po qeveris Lëvizja Vetëvendosje, kompania publike e transmisionit të energjisë- KOSST ka shpërblyer me tender njëburimor “Komtel”—in, firmën e njëjtë që publikisht e kishte goditur deputeti i kësaj partie, Armend Muja
Gazeta Insajderi
Derisa po mbaheshin seanca për Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, deputeti I Vetëvendosjes, Armend Muja kishte qenë i ashpër me ish-Shefin e ndërmarrjes publike të transmisionit të energjisë- KOSST, Fadil Ismajli.
“Zotëri Ismajli ju keni qenë pronar i kompanisë Komtel, po flas për vitin 2006-2008. A keni fituar tender edhe pse është bartë prona tek shoku i juaj Vegim Gashi. Kjo kompani a ka fituar tenderë për vitin 2006-2008 në KOSTT”, kishte pyetur e ngrit akuza publike Muja i Vetëvendosjes.
Ismajli kishte sqaruar se sipas tij ai ka qenë partnerë në firmë një periudhë, e pastaj ka kaluar me angazhim në KEK, tuje në KOSST.
Derisa me Qeverinë po udhëheq partia së cilës i përket Armend Muja, kjo ndërmarrje i është kthyer edhe një herë kompanisë së njëjtë.
Më 1 gusht 2024 KOSST-i ia dha firmës “Komtel Project Engineering SH.P.K” 124 mijë euro.
Tenderi? I negociuar, apo siç njihen në publik: tender njëburimor, formë e kritikuar si e dyshimtë e korruptive, ani pse është njëra ndër format e shprehura të shpenzimit të buxhetit nga ana e Qeverisë së Kryeministrit Albin Kurti.
Sipas këtij tenderi, këto 124 mijë euro me tender një burimor firma “Komtel” do ti marrë në emër të mirëmbajtjes dhe zhvillimit në modulet e CAS-it, një program kontabiliteti.
KOSST ka dhënë edhe pak sqarime se pse ia dha këto para me negociatë vetëm me firmën e biznesmenit Vegim Gashi, e që sipas Armend Mujës, dikur në të pronar ishte edhe ish-Shefi i KOSSTt, Fadil Ismajli.
“Sistemi iKompjuterizuar i Kontabilitetit – CAS, është zhvilluar në kohën kur KOSTT ka qenë pjesë përbërëse e KEK-ut dhe me kohë është zhvilluar dhe kaluar në ASP C#. CAS i përmbushë kërkesat aktuale të stafit të Departamentit të Financave Kontabilitetit dhe Burimeve Njerëzore; i përmbushë kërkesat aktuale të stafit menaxherial të KOSTT-it. Memodifikime të vogla, CAS është në gjendje t’i përmbushë edhe kërkesat që, në të ardhmen, mund të shtrohen prej shfrytëzuesve. Me rregullimin e çështjes së bartjes së licencave të CAS-it nga KEKu mbi KOSTT-in, dhe dhënien gratis të licencave të CAS-it nga ana e Komtelit, KOSTT është bërë pronar i licencave (lejeve) për përdorim të CAS-it. Stafi aktual i KOSTT-it – shfrytëzues të CAS-it është njohësi më i mirë i CAS-it dhe konsulent kryesor në zhvillimin konfigurimin e funksionaliteteve të reja sipas nevojave të KOSTT-it. Stafi profesional i departamentit të Financave Kontabilitetit dhe Burimeve Njerëzore – shfrytëzuesit e CAS-it janë familjarizuar me modulet respektive të CAS-it dhe me sukses i kryejnë detyrat e përditshme”, thuhet në sqarim.
KOSST- konfirmon që ka përdoru edhe më herët këtë program të firmës “Komtel”.
“Shërbimet e ofruara nga Komtel me kontratat e mëhershme janë shërbime komplete të Mirëmbajtjes të cilat kanë mundësuar punën e pandërprerë të CAS-it, si Përshtatjen dhe konfigurimin e CASit për punë në veprimtaritë e KOSTT-it si Operator i sistemit, transmisionit dhe tregut (sipas kërkesave të konsulentëve); Përkrahjen shfrytëzuesve të moduleve të CAS-it o Mirëmbajtjen dhe Mbarëvajtjen e proceseve të ndërlidhjes dhe shkëmbimit të shënimeve mes moduleve (postimet, replikimet, sinkronizimet) që ekzekutohen në mënyrë manuale apo automatike (në kohë dhe frekuencë të caktuar).; Përkrahjen Sektorit të TIK të KOSTT në Administrimin e Bazës së shënimeve të CAS-it”, vazhdon sqarimi i KOSSt-it.
/Gazeta Insajderi