Komisoni i Pavarur i Mediave (KPM) ka marrë vendim për rikthimin e kanaleve të “Arena Sport” në Artmotion dhe operatorët tjerë.
Në mbledhjen e sotme të KPM-së është shfuqizuar vendimi i marrë më më 3 tetor të vitit 2023, përmes të cilit kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena”.
Kjo çështje ishte trajtuar nga gjyqësori, i cili kishte refuzuar ankesën e kompanisë “Artmotion” ndaj vendimit të KPM-së. Gjykata Komerciale kishte vendosur në favor të KPM-së.
Megjithatë, sot vetë KPM-ja e shfuqizoi vendimin e saj, duke i kthyer kanalet sportive “Arena” me arsyetimin se kanë ndryshuar rrethanat e këtij rasti, duke përmendur kërkimfaljen nga operatori, garancinë se nuk do të përsëritet më një gjë e tillë dhe “është marrë mësimi i duhur”.
“Kanalet e (pezulluara) kanë marrë mësimin e duhur, janë bërë glorifikime jo të duhura. E kemi treguar veten shumë seriozë, pa hezitim kemi vendosur, e kanë marrë leksionin e duhur. Zyra e ka monituruar gjatë gjithë kohës zbatimin e këtij vendimi. Një qasje e tillë nuk do të tolerohet”, u tha në mbledhjen e KPM-së.
Kërkesën për rikthim të kanaleve kompania “Artmotion” e kishte bërë dje, më 5 shkurt, duke thënë se “vendimi i KPM-së do të ishte mirë të revokohet” dhe të lejohet rikthimi i kanaleve të “Arena”.
Kujtojmë se vendimi për të pezulluar kanalet sportive të “Arena”, ishte marrë nga KPM pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë.