Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka mohuar të ketë dhënë ndonjë leje që kompania kandadeze “Altair Resources Inc”, të operojë në minierën e Crepulës që ndodhet në veri të Kosovës.
Ndërsa KPMM në një përgjigje me shkrim për Insajderin kanë thënë nuk kanë informacione se “ndonjë ndërmarrje më emër “Altair Resources Inc “ të ketë marr licencë për zonën e Crepulës- Zubin Potok”.
KPMM-ja thotë se në zonën afër Crepulës, ka licencuar në vitin 2015 një kompani tjetër e cila do të operojë në këtë minierë deri në dhjetor të këtij viti.
“Në këtë zonë – afër Crepulës, KPMM-ja ka licencuar ndërmarrjen “A.GJ.A.”Sh.p.k. e cila ka licencë të hulumtimit për minerale metalore me afat licence 11/12/2015-02/12/2017, për sipërfaqen prej 9.82km2”, thuhet në përgjigjen e KPMM-së.
Vet kompania ka deklaruar se ka një licencë eksplorim hapësirës 9.82 kilometra brenda kësaj miniere të pasur me zink, plumb dhe argjend.
Nga ana tjetër, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli përmes një postimi në Facebook ka shprehur dyshimin për një marrëveshje të fshehtë në mes të palës Kosovare dhe asaj Serbe gjatë bisedimeve në Bruksel.
“Programi i eksplorimit ka filluar në vitin 2017 ku së shpejti pritet të fillojnë shpuarjet e nevojshme, gjë që e bënë të dyshimtë faktin se si u pajis kjo kompani me këtë licencë dhe cilit institucion ja pagoi obligimet financare. Shpresoj që kjo marrëveshje nuk është një marrëveshje e fshehtë e Qeverisë sonë të dështuar me palën Serbe”, shkruan Pacolli.
Kurse zyra për media e kryeministrisë, nuk është përgjigjur në pyetjen nëse ka pasur ndonjë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë në lidhje me këtë miniere, as për licencën për kompaninë “Altair Resources Inc”. Në këtë zyre kanë thënë për Insajderin se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, është institucion përgjegjës për dhënien e licencave të tilla. /Insajderi.com