E ka nisur si tender të rregullt, ka planifikuar të shpenzoi mbi gjysmë milioni për të. Por, dy muaj para zgjedhjeve, KQZ e ka anuluar tenderin për shtypjen e fletë-votimeve
Gazeta Insajderi
Në fund të tetorit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte nisur procedurat për të kontraktuar një kompani për fletë-votimet e materialet e tjera për zgjedhjet e 9 shkurti dhe zgjedhjet lokale që planifikohen të mbahen të mbahen në pjesën e fundit të vitit 2025.
Për këtë punë ndau mbi 500 mijë euro, raporton Gazeta Insajderi.
Por, tash ka nxjerr një njoftim të ri: Tenderi i rregullt është anuluar.
Nën qeverisjen e Kryeministrit Albin Kurti është ngritur alarmi për sati të madhe të tenderëve të negociuar, ku vlera me dokumente shkon në mbi 270 milionë euro.
Por, cila është arsyeja që KQZ-ja ka anuluar tenderin e rregullt?
Sipas njoftimit të vet këtij institucioni në tender ishin katër kompani që dhanë edhe ofertat e tyre financiare.
E para në këtë listë është radhitur konzorciumi slloven, që ka pasur edhe kontratën e fundit për fletë—votimet., ““Cetis d.d; CETKOS L.L.C.”.
Kjo kompani dha ofertën 776 mijë euro derisa KQZ-ja për këtë punë ka ndarë veç 551 mijë euro, dhe në arsyen e eliminimit të kësaj firme thuhet që e ka tejkaluar shumën e parashikuar. Është shumë e shtrenjtë, shkruan Insajderi.
Në vitin 2021, për zgjedhjet e 14 shkurti, siç raportoi Insajderi, kjo firmë ishte kontraktuar për të njëjtën punë me një tender që kushtoi shumë më lirë: 184 mijë euro. Edhe ato ishin zgjedhje nacionale.
Me këtë arsye është eliminuar edhe një kompani tjetër, që ofertoi me 623 mijë euro, derisa një kompani që ofertoi me 374 mijë euro, sipas zyrës së tenderëve në KQZ ka një sërë mangësish.
“Mungon ISO Certifikata 90()1 2015 , ISO Certifikata 27()01, Certilikata 14298 , Emri i menaxherit te kontratës, Siguria e tenderit , lista e pajisjeve (foto dhe DUI)) , lista e kontratave dhe referencat dhe dëshmia për shtypjen e materialit te ndjeshëm”, dhe një sërë arsyesh të tjera i janë renditur kësaj kompanie që ishte më e lira.
Në fund, KQZ vendosi që ta anuloi këtë tender të rregullt, dhe deri tash nuk ka njoftuar se a do të shpall tender të ri të rregullt, pasi që kanë mbetur pak më shumë se sa dy muaj deri te dita e zgjedhjeve.
Apo, edhe KQZ si shumë institucione do të bëjë kontratë të negociuar një-burimor që rëndom kritikohen si kontrata me ekspozim të madh të korrupsionit.