×
  • Lajme
  • Lajme

    KQZ-ja pezullon një parti politike dhe regjistron një tjetër

    Insajderi
    10 July 2024 - 16:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pezulluar subjektin politik “Gradanska Inicijativa Gore”, kjo për shkak që ky subjekt politik nuk ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor me datën e paraparë.

    KQZ-ja në mbledhjen e mbajtur sot gjithashtu ka votuar pro regjistrimit të partisë politike, “Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës”.

    Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike, Besnik Buzhala ishte ai që dha këtë rekomandim, duke thënë se kuvendi është dashur të mbahej më 20 qershor.

    “Kuvendi i radhës për t’u mbajtur nga ky subjekt politik data e fundit ka qenë 20 qershor 2024. Meqenëse subjekti politik nuk e ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor më datën 20 qershor 2024 atëherë zyra rekomandon që të pezullohet subjekti politik Graðanska Inicijativa Gore, me akronimin GIG dhe KZQ-ja të merr vendim dhe ta obligojë që për 45 ditë prej momentit të pranimit të këtij vendimi të mbajë Kuvendin Zgjedhor të radhës. Ky është rekomandimi sa i përket vendimit për pezullimin e subjektit politik Graðanska Inicijativa Gore”, ka thënë Besnik Buzhala.

    Ndërsa, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tregoi që ky rekomandim u votua më 10 vota për çka bëri që kjo parti politike të pezullohet.

    “Me 10 vota për miratohet, ashtu që partia politike Graðanska Inicijativa Gore, pezullohet. Ndërsa, i jepet afat shtesë prej 45 ditësh që të mbajë Kuvendin e saj”, ka thënë kryetari Kreshnik Radoniqi.

    Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, drejtori Besnik Buzhala rekomandoi regjistrimin e partisë politike, “Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës”.

    Buzhala potencoi se ky subjekt politik është subjekt parlamentar i cili gjithashtu përfiton edhe mjete financiare nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike.

    “Në lidhje me këtë subjekt politik sipas rregullores zgjedhore Nr.1/2024 është obliguar që të gjitha subjektet politike që janë si subjekte politike të certifikuara të regjistrohen si parti politike dhe në lidhje me këtë ky subjekt është liruar nga mbledhja e nënshkrimeve dhe pagesat e taksës dhe gjithashtu zyra i rekomandon KQZ-së që ta bëjë regjistrimin e këtij subjekti politik si parti politike e cila në rast të regjistrimit do të regjistrohet me numrin rendor 53”, ka shtuar Besnik Buzhala.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark