
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dhënë tri tenderë për zgjedhjet lokale të vitit 2025, përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës. Vlera totale e këtyre kontratave arrin mbi 770 mijë euro. Ndërkohë, njëra prej kontratave është dhënë jashtë planit të prokurimit, ndërsa një tjetër pas anulimit të procedurës së hapur nga KQZ-ja.
Gazeta Insajderi
KQZ ka njoftuar në e-prokurim se ka dhënë tri kontrata me negocim.
Tenderi më i shtrenjtë që u dha është për “Shtypja e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për Zgjedhjet Lokale”.
Përfitues është konsorciumi Cetis d.d. dhe CETKOS L.L.C., me lider nga Sllovenia, ndërsa e dyta nga Kosova.
Vlera e kontratës është 489,362.40 euro.
“Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e procesit të shtypjes së fletëvotimeve, të përcaktuar nga KQZ me Rregulloren Zgjedhore nr. 10 2024, Fletëvotimet dhe Broshurat, siç përcaktohet në nenin 8, paragrafi 3, procesi i shtypjes dhe paketimit duhet të realizohet nga një Operator Ekonomik i certifikuar, në përputhje me standardet për sistemin e menaxhimit të shtypjes me siguri të lartë dhe sistemin e menaxhimit të sigurisë së informacionit“, thuhet në njoftim.
Kohëzgjatja e kontratës është 90 ditë, ndërsa njoftimi për nënshkrimin e saj u bë sot, më 10.09.2025.
Ky nuk është i vetmi tender i dhënë sot, pasi KQZ ka lidhur edhe dy kontrata të tjera.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, po përmes procedurës së negociuar, lidhi tender për “Furnizimin me shërbim të shtypjes së materialeve për Votim Jashtë Kosovës”.
Kompania që u shpërblye është “SSI LOG L.L.C”, me vlerën prej 96,583.00 euro.
Në njoftimin për kontratën u bë e ditur se furnizimi me këto materiale nuk ishte parashikuar në planin e prokurimit.
“Ato paraqiten si kërkesa që burojnë nga përcaktimet e Rregullores së ndryshuar për votimin jashtë Kosovës, e cila parasheh dërgimin e pakove me fletëvotime. Duke marrë parasysh afatet kohore në dispozicion, të cilat kërkohen nga procedura deri në përfundimin e kontraktimit, si dhe për realizimin e liferimit dhe përgatitjes së materialeve, është e domosdoshme përdorimi i kësaj procedure, në mënyrë që të përmbushen obligimet ligjore“, thuhet aty.
Ndërsa, tenderi tjetër që u dha është për “transmetimi i video dhe radio spotëve në televizione dhe radio për Edukim dhe Informim të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2025”.
Ky tender fillimisht ishte hapur me procedurë të rregullt por që KQZ e kishte anuluar.
Ndërsa më pas u dha në formë të negociuar në shumën prej 104 mijë euro.
Tenderin e ka fituar “Red Mill”.
Në njoftimin për kontratë u tha se ofertat përmes procedurës së hapur ishin të papërgjegjshme.
“KQZ për ketë aktivitet te prokurimit ka pranuar 5 oferta. Pas një procesi te vlerësimit te te gjitha ofertave kanë rezultuar te gjitha ofertat e pa përgjegjshme dhe si rrjedhojë e kësaj pas rekomandimit te komisionit te vlerësimit kemi bërë anulimin e aktivitetit te prokurimi“, thuhet aty./Insajderi.org/