Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet, të mërkurën, ku do ta miratojë edhe fletën e votimit për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Mund t’iu konfirmoj se pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, më 8 janar, KQZ do të shqyrtojë dhe miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025”, tha ai.
Ndërkaq, të enjten pritet të fillojë votimi për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës.
“Pasi KQZ-ja të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve, më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës. Gjithashtu, miratimi i fletëvotimit mund t’iu shërbejë edhe subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore”, tha Elezi për televizionin publik të Kosovës.
Fushata zgjedhore do të nisë zyrtarisht më 11 janar dhe do të zgjasë deri më 7 shkurt, derisa qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit më 9 shkurt.