
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar planin operacional për ditën e zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 12 tetor 2025. Ky plan parasheh organizimin e punës së KQZ-së dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera përgjegjëse, me qëllim që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe transparente.
Në kuadër të këtij plani, KQZ ka miratuar edhe programin e konferencave për ditën e zgjedhjeve, për të informuar publikun dhe mediat mbi ecurinë e procesit të votimit dhe pjesëmarrjen e qytetarëve.
Sipas njoftimit, gjatë ditës së zgjedhjeve KQZ do të mbajë pesë konferenca në orare të ndryshme:
08:00 – Konferenca e parë, për fillimin e procesit të votimit;
11:30 – Konferenca e dytë, me të dhëna për pjesëmarrjen deri në orën 11:00 dhe ecurinë e procesit;
15:30 – Konferenca e tretë, me përditësim për pjesëmarrjen deri në orën 15:00;
19:30 – Konferenca e katërt, për përfundimin e votimit, pjesëmarrjen totale dhe fillimin e numërimit të fletëvotimeve;
Konferenca e pestë, për publikimin e rezultateve preliminare të kandidatëve dhe subjekteve politike, do të mbahet në një orar që do të njoftohet më vonë.
KQZ theksoi se transparenca dhe informimi i saktë i qytetarëve mbeten prioritet gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve.