Katër komunat serbe në veri kanë mbetur pa kryetarë, pasi ata dhanë dorëheqje në shenjë revolte për konvertimin e targave. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese ky veprim hap rrugë për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tani po pret vendimin e presidentes së vendit lidhur me zgjedhjet e mundshme në këto katër komuna veriore.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i ka thënë Insajderit se përgatitjet e këtij institucioni për zgjedhje bëhen pasi ato të shpallen nga presidentja.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen nga ana e presidentees e Republikës së Kosovës. KQZ-ja pret shpalljen e zgjedhjeve para se të fillojë me përgatitjet intensive të tyre. Sikurse në të kaluarën një nga hapat e parë që ndërmerr KQZ është miratimi i planit operacional ku listohen të gjitha aktivitetet që duhet të kryhen nga ana e KQZ për të organizuar një proces zgjedhor”, ka deklaruar Elezi.
Elezi ka theksuar se aktualisht, KQZ nuk ka buxhet për organizmin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Sa i përket çështjes së buxhetit, këto janë zgjedhje të paplanifikuara çka do të thotë KQZ nuk ka buxhet aktualisht për organizimin e tyre por sikurse edhe në të kaluarën, në raste të tilla kur kemi zgjedhje të planifikuara KQZ-ja përgatit një shkresë pra një kërkesë buxhetore të cilën e përcjellë në për Qeverinë e Kosovës ku parashihen mjetet e nevojshme të cilat duhet t’i ketë KQZ për të organizuar një proces zgjedhor”, ka përfunduar ai. /Insajderi