
Frashër Krasniqi, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë nuk është duke flirtuar me pushtetin, porse duke “bashkëpunuar me pushtetin e kriminalizuar” dhe se Burim Ramadani i AAK-së është bërë dëshmitar i rrejshëm për përndjekje politike ndaj Vetëvendosjes.
Kjo deklaratë e tij vije si kundërpërgjigje e një deklaratë të Burim Ramadanit të AAK-së, i cili të premten paradite ka folur rreth djegieve të veturave publike dhe gjuajtjes me koktej Molotovi.
Ai ka thënë se “tashmë, fatmirësisht, po bëhen rreth një muaj prej kur kanë qenë rastet e fundit kriminale të “Molotovit” dhe djegies së veturave”.
Që nga anulimi i protestës së opozitës rreth një muaj më parë, AAK dhe Vetëvendosje kanë kritikuar njëra tjetrën disa herë publikisht.
Kjo deklaratë nxiti reagim të ashpër nga zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi.
“Para pak kohësh, Kadri Veseli e fitoi edhe një argat, AAK-në. Kurse sot, prokuroria e kapur nga Kadri Veseli e fitoi edhe një dëshmitar të rrejshëm për përndjekjen politike të VETËVENDOSJE!-s, Burim Ramadanin”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
“Ky i fundit – me një gjuhë saktësisht të njëjtë me atë të Qeverisë para një muaji – sot e paska akuzu me të pavërteta VETËVENDOSJE!-n për djegie makinash”.