
Samir Krasniqi, kryetar i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që nuk ka ftuar odat e tjera përveç asaj të Kosovës dhe Odës Amerikane kur nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për zbutjen e papunësisë.
“A do të thotë që bizneset gjermane, austriake, zvicerane, britanike, franceze, turke e shumë të tjera nuk janë partnerë të qeverisë?”, ka thënë Krasniqi duke kërkuar të dijë se pse nuk janë ftuar edhe këto oda ekonomike.
“A është kjo qeveri e të gjithëve apo vetëm e grupeve të caktuara, e klienteleve? Nëse për të qenë partner me qeverinë është kriter serviliteti, atëherë ndjehemi mirë ne bizneset gjermane që nuk jemi pjesë e këtij bashkëpunimi,” ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Të shtunën, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në praninë e kryeministrit Isa Mustafa, nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Odën Ekonomike të Kosovës dhe Odën Amerikane në Kosovë që për synim ka zbutjen e papunësisë në vend./Insajderi.com