Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti, lidhur me marrëveshjen me MCC.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kurti ka gënjyer dhe e vërteta verifikohet shumë lehtë, derisa Kurti ka deklaruar se kinse Qeveria e tij e fitoi Programin “Compact” nga MCC.
Krasniqi thotë se MCC tash e tri vjet e ka aprovuar Programin “Compact” për Kosovën dhe sipas tij, vonesat e Qeverisë Kurti e kanë vonuar marrjen e mëhershme të këtij granti.
Postimi i tij i plotë:
Kryeministri Kurti sot e përsëriti një të pavërtetë se kinse Qeveria e tij e fitoi Programin “Compact” nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për shkak se “është rritur vlerësimi për demokraci e sundim të ligjit” që ka mundësuar kalimin nga Programi “Threshold” në Programin “Compact”.
Kjo është gënjeshtër klasike dhe e vërteta verifikohet shumë lehtë!
MCC tash e tri vjet e ka aprovuar Programin “Compact” për Kosovën! Bordi i MCC e ka marrë vendimin në dhjetor të vitit 2018.
Janë pikërisht vonesat e Qeverisë Kurti që e kanë vonuar marrjen e mëhershme të këtij granti dhe që kanë shkaktuar anulimin e investimeve në infrastrukturën e gazpërçuesit, si investim shumë më i nevojshëm e më strategjik për Kosovën se sa bateritë akumuluese.
Kjo Qeveri nuk është qeveri që sjell investime, sepse është Qeveri jokompetente që sjell vetëm vonesa dhe tkurrje të investimeve kapitale.